Rusia akuzon ushtrinë amerikane për “lëvizje agresive” në Detin e Zi
Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “lëvizje agresive” në rajonin e Detit të Zi, duke paralajmëruar se Moska do të veprojë për të mbrojtur sigurinë e saj përballë çdo kërcënimi në zonën strategjike.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të premten se veprimet e fundit ushtarake të SHBA-së në Detin e Zi ishin “agresive” dhe “paraqisnin një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe strategjik”. Ministria tha se kishte zbuluar gjashtë fluturime zbulimi të NATO-s mbi Detin e Zi në 24 orët e fundit, duke theksuar se, "Rusia do të veprojë për të mbrojtur sigurinë e saj nëse ka ndonjë veprim kërcënues nga kundërshtarët e saj përgjatë kufijve të saj". Deti i Zi është një zonë e ndjeshme sigurie për Moskën pasi ndodhet pranë gadishullit të Krimesë, i cili iu bashkua Rusisë në një referendum të vitit 2014 në atë që Perëndimi thekson se ishte "aneksimi" i Krimesë. Për më tepër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e përshkroi të premten si "provokative" rritjen e aktiviteteve të NATO-s në Detin e Zi dhe praninë e avionëve spiunë perëndimorë në rajon. Peskov hodhi poshtë gjithashtu një raport të medias perëndimore mbi shqetësimet e SHBA për sulmin e mundshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se Rusia nuk ka paraqitur asnjë kërcënim për asnjë vend. “Titujt e tillë nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxitin tensionet në mënyrë të kotë dhe të pabazë. Rusia nuk përbën kërcënim për askënd”, tha Peskov duke shtuar: “Ne kemi thënë vazhdimisht se lëvizja e forcave tona të armatosura në territorin tonë nuk duhet të jetë shkak për shqetësim.”