Rreziku potencial i një konflikti në Detin e Zi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i117282-rreziku_potencial_i_një_konflikti_në_detin_e_zi
Rusia ka akuzuar Uashingtonin për përshkallëzim të tensioneve pasi mediat amerikane raportuan se zyrtarët e SHBA po paralajmëronin aleatët evropianë për rrezikun e një sulmi të mundshëm rus.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 13, 2021 16:36 Europe/Tirane
  • Rreziku potencial i një konflikti në Detin e Zi

Rusia ka akuzuar Uashingtonin për përshkallëzim të tensioneve pasi mediat amerikane raportuan se zyrtarët e SHBA po paralajmëronin aleatët evropianë për rrezikun e një sulmi të mundshëm rus.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin reagoi ashpër dukë thënë: “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO po kryejnë stërvitje të paplanifikuara në Detin e Zi. Jo vetëm që në këtë stërvitje janë përfshirë grupe të forta detare, por edhe aviacioni, përfshirë aviacionin strategjik. Kjo është një sfidë serioze për ne”. Zyrtarët amerikanë së fundi dhanë alarmin për aktivitetet ruse pranë Ukrainës, në rajonet ku separatistët e mbështetur nga Moska kontrollojnë disa territore. Kreu i DASH, Antony Blinken e paralajmëroi Rusinë që të mos bëjë “ndonjë gabim serioz” në Ukrainë, teksa Uashingtoni ka kërkuar informacione lidhur me lëvizjet e pretenduara të trupave ruse pranë kufirit, veprim të cilin Pentagoni e ka cilësuar si “të pazakonshëm sa i përket përmasës”. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se zbuloi gjashtë fluturime nga aeroplanët spiunë të NATO-s në hapësirën ajrore mbi Detin e Zi, pjesë e asaj që ajo e përshkroi si intensifikimin e zbulimit nga ushtria perëndimore. Ushtria ruse tha gjithashtu se po gjurmonte anijet detare amerikane në Detin e Zi dhe akuzoi Uashingtonin se po studionte rajonin si një teatër të mundshëm lufte. Paralajmërimet erdhën pasi ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe ministri i Jashtëm Sergei Lavrov vizituan Parisin për bisedime me homologët e tyre francezë Florence Parly dhe Jean-Yves Le Drian me qëllim për të de-përshkallëzuar situatën. Lavrov tha se ata kishin diskutuar praninë në rritje të forcave detare të NATO-s në Detin e Zi dhe qëndrimin agresiv të aleancës ushtarake NATO ndaj vendit të tij kohët e fundit. Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Francës lëshuan një deklaratë jashtëzakonisht të hapur pas takimit, duke thënë se ata "paralajmëruan qartë për pasojat serioze të çdo dëmtimi të mëtejshëm ndaj integritetit territorial të Ukrainës". Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba pas vizitës në Uashington tha se vendi i tij i kishte kërkuar SHBA-së mbështetje urgjente të sigurisë, duke përfshirë ndarjen e inteligjencës, ose sistemet e mbrojtjes ajrore, "ose ndonjë gjë tjetër". Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksiy Reznikov do udhëtojë në Uashington në fillim të javës së ardhshme për konsultime të mëtejshme, tha një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, hodhi poshtë paralajmërimet e reja alarmuese nga Perëndimi, duke thënë se Rusia "nuk ishte një kërcënim për askënd". “Ne kemi thënë vazhdimisht se lëvizja e forcave tona të armatosura në territorin tonë nuk duhet të shqetësojë askënd”, shtoi ai. Ai tha se varet nga Moska se ku i vendos forcat brenda kufijve të saj. SHBA-ja ka dhënë më shumë se 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga konflikti i Krimesë në vitin 2014, duke përfshirë raketat anti-tank Javelin. Versioni i Senatit i buxhetit të mbrojtjes 2022 rrit Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës nga 250 milionë dollarë, në 300 milionë dollarë në vit, duke përfshirë 75 milionë dollarë posaçërisht për armët vdekjeprurëse.