Vriten shtatë ushtarë azerbajxhanas
Shtatë pjesëtarë të ushtrisë së Azerbajxhanit u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në përleshjet me Armeninë në kufirin midis dy vendeve ish-sovjetike, tha të mërkurën ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.
Zyrtarët armenë raportuan një viktimë dhe thanë se 13 nga trupat e tyre u kapën rob gjatë veprimeve ushtarake të së martës, derisa 24 të tjerë janë zhdukur, raporton AP News. Përleshjet e fundit duket të jenë shpërthimi më i keq i armiqësive midis dy vendeve që nga një luftë gjashtë-javore e vitit të kaluar mbi rajonin e Nagorno-Karabakut ku mbetën të vrarë rreth 6,600 njerëz. Ministria armene e Mbrojtjes akuzoi ushtrinë e Azerbajxhanit se hapi zjarr ndaj pozicioneve armene. Në anën tjetër, qeveria e Azerbajxhanit akuzoi Armeninë për një “provokim në shkallë të gjerë” në kufi. Luftime pushuan të martën në mbrëmje pasi ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, foli në telefon me homologët e tij armenë dhe azerbajxhanas dhe iu kërkoi atyre të ndalonin luftimet. Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, foli edhe me presidentin rus Vladimir Putin për situatën në kufi dhe kërkoi ndihmë ushtarake nga Rusia.