Moska hedh poshtë pretendimet e SHBA dhe NATO-s
Zyrtarët rusë e kanë akuzuar aleancën e NATO-s për një seri kërcënimesh e veprimesh armiqësore.
Rusia ka kritikuar Perëndimin për rritjen artificiale të tensioneve rreth Ukrainës me deklarata të përsëritura që akuzojnë Moskën se po përgatitet të zhvillojë një agresion ushtarak ndaj fqinjit të saj, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj të ndalojnë dislokimin e forcave të ushtrisë në afërsi të kufijve rusë. “Kjo histeri po krijohet artificialisht. Ne po akuzohemi për një lloj aktiviteti të pazakontë ushtarak në territorin tonë nga ata që kanë sjellë forcat e tyre të armatosura nga përtej oqeanit, domethënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha të dielën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai i cilësoi akuzat e vendeve perëndimore si "jo logjike e të pasjellshme", duke paralajmëruar se "një provokim" në rajon nuk mund të përjashtohej duke pasur parasysh gjithë retorikën e përdorur nga Uashingtoni. Komentet e Peskov erdhën vetëm një ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken pretendoi se SHBA ka shqetësime reale, të cilat ndahen gjerësisht me partnerët e saj në Evropë, mbi ato që ai i quajti aktivitetet ruse në kufijtë e vendit ish-sovjetik. Moska paralajmëroi se NATO do të kalonte vijën e kuqe ruse nëse do të zgjeronte infrastrukturën e saj ushtarake në Ukrainë, e cila përpiqet të bëhet një vend anëtar i NATO-s. Shpjegimet e vazhdueshme të NATO-s se ajo nuk përbën rrezik për Rusinë, kanë rënë në vesh të shurdhër. Moska nuk bindet. Marrëdhëniet mes dy palëve janë në nivelin më të ulët, dhe rreziku i një përplasjeje të hapur, është i madh. Kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase, gjenerali Kyrylo Budanov, akuzoi Rusinë se ajo “po përqendron” më shumë se 92.000 ushtarë pranë kufirit me Ukrainën dhe se ishte “përgatitur për ta sulmuar” atë në fund të janarit ose fillimi i shkurtit të vitit të ardhshëm. Më herët, televizioni CBS News raportoi se inteligjenca amerikane paralajmëroi aleatët evropianë për mundësinë e një sulmi rus në Ukrainë. “Pushtimi varet nga kushtet e motit, por mund të ndodhë brenda pak javësh, nëse nuk ka ndërhyrje perëndimore”, tha televizioni, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë. New York Times raportoi dje se përfaqësuesit e shërbimeve të inteligjencës amerikane paralajmëruan aleatët e SHBA-së se ka mbetur pak kohë për të penguar një ofensivë të mundshme të Rusisë ndaj Ukrainës. Më herët, komandanti i ushtrisë për operacione speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Grigory Galan, tha se është e nevojshme që çdo zonë në Ukrainë të jetë gati për “pushtimin e Rusisë”