Presidenti bullgar shqetëson SHBA-të
(last modified Tue, 23 Nov 2021 06:59:23 GMT )
Nëntor 23, 2021 07:59 Europe/Tirane
  • Presidenti bullgar shqetëson SHBA-të

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim “serioz” lidhur me deklaratat e fundit të presidentit bullgar, Rumen Radev, i cili e ka cilësuar Krimenë si “ruse”.

Gadishulli ukrainas i Krimesë iu bashkua Rusisë përmes një referendumi popullor në vitin 2014. Radev, 58 vjeç, i bëri komentet gjatë një debati televiziv me kundërkandidatin e tij, Anastas Gerdjikov, para rundit të balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 21 nëntor, të cilat Radev i fitoi. Radev tha se Bullgaria duhet të mbajë raporte pragmatike me Moskën dhe nuk duhet ta shohë Rusinë si armike, për shkak të lidhjeve të ngushta historike dhe kulturore. Gjatë debatit ai u pyet nga Gerdijkov nëse pendohet për kritikat që i ka bërë ndaj sanksioneve që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe Radev u përgjigj që Krimea “për momentin është ruse”, duke shtuar “çfarë tjetër mund të jetë?”. Më 2016, Radev, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, bëri fushatë për heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara lidhur me deklaratat e fundit të presidentit bullgar, Rumen Radev, në të cilat ai iu referua Krimesë si ‘ruse’”, tha më 22 nëntor Ambasada amerikane në Sofje. “Shtetet e Bashkuara, G7, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kemi qenë të qartë dhe të bashkuar në pozicionin tonë që pavarësisht përpjekjes së Rusisë për aneksim dhe okupimi që po vazhdon, Krimea është Ukrainë. Të gjithë ne, përfshirë Bullgarinë, gjatë Samitit të Platformës së Krimesë që u mbajt në gusht, deklaruam se Krimea është pjesë integrale e Ukrainës dhe ne nuk do t’i njohim përpjekjet e Rusisë për të legjitimuar aneksimin e paligjshëm dhe okupimin e gadishullit. Në ditët e fundit ne kemi komunikuar shqetësimin tonë te Qeveria bullgare si në Uashington ashtu edhe në Sofje”, u tha në deklaratë. Megjithëse Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, shumë bullgarë kanë një ndjenjë të afërsisë kulturore dhe historike me Rusinë. I vendosur në pellgun e Detit të Zi, vendi mbështetet shumë në furnizimet me energji nga Rusia dhe është i ekspozuar ndaj tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit. Radev fitoi me retorikën kundër korrupsionit dy të tretat e votave dhe mbajti presidencën për një mandat tjetër pesë-vjeçar. Komisioni zgjedhor i Bullgarisë thotë se Radov fitoi gati 67 për qind të votave për të mposhtur rivalin e tij, profesorin e universitetit dhe kandidatin e qendrës së djathtë, Anastas Gerdjikov.

 

Tags