Rusia denoncon presionet e SHBA kundër Nord Stream 2
Rusia ka denoncuar Shtetet e Bashkuara për përpjekjet e tyre për të penguar certifikimin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, duke theksuar se Uashingtoni nuk duhet të ushtrojë presion mbi askënd për certifikimin e projektit.
“Është shumë e rëndësishme, natyrisht, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos bëjnë presion ndaj askujt në lidhje me zbatimin dhe certifikimin e vazhdueshëm të këtij projekti”, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë për shtyp. Nord Stream 2 (NS2) me një kosto prej 11 miliardë dollarësh është një projekt ndërkombëtar për ndërtimin e një gazsjellësi që do të sjellë gazin rus në Gjermani nën Detin Baltik duke anashkaluar shtetet tranzit si Ukraina, Bjellorusia, Polonia dhe shtete të tjera të Evropës Lindore. Tubacioni u përfundua në shtator, por është në pritje të përfundimit të procesit të certifikimit. NS2 tani po pret lejen nga Agjencia Federale e Rrjetit Gjerman (BNetzA) përpara se Rusia të fillojë pompimin e gazit përmes tij. Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar prej kohësh NS2, duke pretenduar se ai do ta bëjë Evropën shumë të varur nga gazi rus. Gjermania u ka kërkuar anëtarëve të Kongresit të SHBA që të mos e sanksionojnë projektin pasi një veprim i tillë do të “dobësonte” besueshmërinë e SHBA-së dhe “në fund do të dëmtonte unitetin transatlantik”. Megjithatë, javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione të tjera që synojnë Transadria Ltd., një ent me bazë në Qipro që besohet të jetë një kompani ruse. Sanksionet e reja shqetësuan Gjermaninë dhe zemëruan Rusinë.