Biden pezullon ndihmën ushtarake për Ukrainën
SHBA ka vendosur të pezullojë një paketë ndihme ushtarake për Kievin, mes tensioneve të rindezura për Ukrainën, raportoi rrjeti amerikan NBC News.
Shtëpia e Bardhë kishte përgatitur një paketë shtesë ndihme ushtarake prej $200 milionë për fqinjin rival të Rusisë, e cila tashmë është lënë pezull, raportoi rrjeti amerikan duke cituar burimet anonime nga Shtëpia e Bardhë. NBC shtonte më tej se SHBA do të zgjedhë opsione të tjera për të ndihmuar Ukrainën, siç është një paketë më e madhe ndihme që mund të aprovohet “në rast të një inkursioni të mundshëm nga Rusia.” Ky burim shtoi se Shtëpia e Bardhë kishte shtyrë dërgesën e armatimeve dhe pajisjeve ushtarake drejt Ukrainës në kuadër të përpjekjeve për shuarjen e tensioneve aktuale dhe ruajtjen e influencës në rast të një sulmi konkret rus ndaj Ukrainës.Moska vazhdimisht ka mohuar raportimet se kërkon të sulmojë duke thënë se manovrat e saj janë të një natyre mbrojtëse, por shton se mund të nisë veprim ushtarak nëse Kievi bën “provokime”. Presidenti amerikan Joe Biden foli dje në telefon me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky ku përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për sovranitetin e Ukrainës. Moska akuzon Kievin për rrezikim të sigurisë detare në Detin Azov pranë Krimesë. Ukraina mohon akuzat dhe akuzon Rusinë për “dezinformacion.”