Franca vendos që t’i hapë arkivat sekrete për krimet në Algjeri
Franca njoftoi të premten se së shpejti do t’i hapë për publikun pjesët më të klasifikuara të arkivave kombëtare rreth luftës algjeriane për pavarësi, duke hedhur dritë në disa nga kapitujt më të errët në historinë e Francës së shekullit XX.
Mes viteve 1954 e 1962, Franca nisi luftë kundër një lëvizje për pavarësi në Algjeri që në atë kohë e kishte koloni. Qindra mijëra algjerianë u vranë dhe forcat franceze dhe grupet përkrahëse të tyre ushtruan torturë ndaj kundërshtarëve, sipas historianëve. “Ne duhet që ta kemi kurajon për ta shikuar në fytyrë të vërtetën historike”, tha ministrja franceze e Kulturës, Roselyne Bachelot, kur e dha njoftimin për hapjen e arkivave. Lufta në Algjeri e kishte trazuar Francën dhe kishte nxitur puç të dështuar kundër presidentit të atëhershëm, Charles de Gaulle, për t’ia parandaluar largimin e pushtetit francez nga Algjeria . Gati 60 vite pas përfundimit të pushtimit francez, kjo ngjarje është ende temë e ndjeshme dhe përçarëse në Francë. Sipas njërit nga historianët më të njohur francezë për Algjerinë, Benjamin Stora, deklasifikimi i arkivave është hap i rëndësishëm drejt të kuptuarit më të mirë të luftës. “Mund ta dini se cilët njerëz ishin nën vëzhgim, të ndjekur të arrestuar. Është i tërë zinxhiri, që çon deri te masat shtypëse, që mund të zbulohet”, tha ai. Algjeria ishte nën pushtetin e Francës për 132 vjet derisa e fitoi pavarësinë më 1962. Njoftimi për hapjen e arkivave u dha vetëm dy ditë pas vizitës së kryediplomatit francez, Jean-Yves Le Drian, në Algjeri. Ai zhvilloi bisedime me Presidentin e Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, me qëllim të ringjalljes së dialogut mes dy palëve, pas përkeqësimit të ndjeshëm të raporteve. Abdelmadjid Tebboune tha se "Franca bëri krimet më të tmerrshme në historinë e njerëzimit përmes masakrave dhe torturave, duke terrorizuar dhe duke përdorur forcën e armatosur kundër algjerianëve.” Algjeria, shembulli më aktual dhe më i përgjakshëm i historisë koloniale të Francës në kontinentin afrikan, filloi luftën e saj për pavarësi në vitin 1954. Ndërkohë që Algjeria konsiderohet si një prej shteteve që pagoi çmimin më të rëndë për këtë kauzë me luftën e saj 8-vjeçare për pavarësi, dhimbjet e papërshkrueshme të algjerianëve u shkruan në histori si “njolla e zezë” që Franca la pas gjatë tërheqjes nga Afrika. Përgjatë viteve të luftës çnjerëzore në vend, gati 1,5 milionë algjerianë humbën jetën dhe miliona të tjerë u zhvendosën. Vlen të theksohet gjithashtu se Franca ka kryer të paktën 17 prova bërthamore, 4 prej të cilave mbi tokë dhe 13 të tjera nën tokë, në Shkretëtirën Algjeriane mes viteve 1960-1966.