Rënia e lirës, të huajt blejnë prona të paluajtshme në Turqi
Vlera e monedhës turke, e cila prej disa javësh është në rënie të lirë, ka arritur nivelin më të ulët të mërkurën, në prag të vendimit të Bankës Qendrore për normat e interesit, dhe sot lira turke arriti kuotën 14,7 kundrejt dollarit amerikan.
Edhe pse rënia e vlerës së lirës i ka sjellë probleme qeverisë turke, gjendja ekonomike në anën tjetër u ka ardhur mirë shtetasve të huaj që e shfrytëzuan për blerje masive të pronave të paluajtshme në Turqi. Siç raporton Reuters, shitja e shtëpive për shtetasit e huaj në Turqi gjatë nëntorit është rritur për 50 për qind. Për tërë këtë natyrisht “fajtor” është rënia e lirës, që shtetasve të huaj u mundësoi blerje më të lehtë të pronës së paluajtshme. Sipas të dhënave zyrtare, në nëntor shtetasve të huaj u janë shitur 7.363 shtëpi, që është numri më i madh nga viti 2013. Numri më i madh i të huajve që kanë blerë shtëpi në Turqi, janë kryesisht iranianë, irakianë dhe rusë. Vendet që kanë tërhequr më së shumti vëmendjen e të huajve kur bëhet fjalë për shitjesh të shtëpive, ishte Stambolli me 2.922 objekte, Antalia dhe Ankaraja.