Omicron, parashikohen ditë të vështira për Evropën
Varianti i ri i koronavirusit Omicron po përhapet në të gjithë globin me një ritëm të paprecedentë, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Rastet e variantit me mutacionin e ri janë konfirmuar në 77 vende.
Në një konferencë për shtyp, shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ishte i shqetësuar, pasi nuk po merren masa mjaftueshëm për të trajtuar variantin. Me rastet e Omicron që dyfishohen afërsisht çdo dy ditë, zyrtarët e shëndetit publik në SHBA po përgatiten për një valë tjetër të infeksioneve me coronavirus këtë dimër. “Ne presim që përqindja e rasteve të Omicron këtu në Shtetet e Bashkuara të vazhdojë të rritet në javët e ardhshme”, tha Rochelle Walensky, drejtore e Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC), në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë duke shtuar se vdekjet nga COVID-19 mund të rriten edhe në muajin e ardhshëm. Ndërsa Franca njoftoi sot se për shkak të shtimit të rasteve me Covid në Britani vetëm kategori të caktuara udhëtarësh do të lejohen të udhëtojnë dhe kushdo që vjen nga Britani duhet të vetë-izolohet. Megjithatë shoferët e kamionëve janë të përjashtuar nga kufizimet, duke qetësuar shqetësimet për vonesa të mëtejshme në zinxhirin e furnizimeve. “Synimi është të shmangim sa më shumë të mundemi përhapjen e variantit Omicron” tha një zëdhënës i qeverisë franceze. Në Britani varianti Omicron po përhapet me shpejtësi. Në këtë shtet ishullor rastet ditore po shkojnë deri në 80 mijë, e situata duket se nuk është duke u përmirësuar – përkundrazi ekspertët paralajmërojnë se mund të përkeqësohet edhe më tej. Franca deri tani ka vetëm 240 raste të konfirmuara, shumë më pak se Britania. Zyrtarët e BE presin që të enjten në Bruksel udhëheqësit të diskutojnë temën e ndjeshme të vaksinimit të detyrueshëm. Austria, Gjermania dhe Greqia kanë ndërmarrë hapa vendimtarë në favor të kësaj mase. Megjithatë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, theksoi se kompetencat për këto vendime i kanë vetë qeveritë e shteteve. Shkalla më e lartë e përhapjes së Omicron krahasuar me variantet e tjera të Covid-19, sipas OBSH-së, do të rrisë numrin e shtrimeve në spital dhe do të shtojë presionin për punonjësit dhe institucionet shëndetësore. Një presion i tillë, thonë ekspertët, mund të rrisë numrin e viktimave.