Omicron po përhapet me shpejtësi rrufeje në Europë
Në një kohë që varianti i ri i koronavirusit Omicron po përhapet në të gjithë Europën, kryeministri francez ka paralajmëruar qytetarët për rrezikun, duke e konsideruar variantin e ri si dominues për francezët.
Franca ka vendosur kufizime të rrepta për udhëtarët britanikë ashtu sikundër edhe vende të tjera në Europë. “Varianti Omicron është duke u përhapur me shpejtësinë e rrufesë në Europë dhe ka gjasa të jetë dominues në Francë”, deklaroi Jean Castex, i cili ka folur për situatën në vend disa orë përpara se Franca t’u vendoste kufizime të rrepta udhëtarëve nga Britania e Madhe. Britania ka shënuar rekord ditor, dje, 17 dhjetor me infektime nga varianti i ri i koronavirusit, ku u regjistruan 93,000 raste të reja. Kryebashkiaku i Londrës nuk e fshehu shqetësimin e tij nga niveli i lartë i infektimeve në qytetin që ai drejton. Sadik Khan tha se 26,000 rastet e reja të së premtes kanë një ndikim të madh në mungesat e stafit në shërbimet e urgjencës së qytetit. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Kauterbach, tha para gazetarëve se vendi “duhet të përgatitet për një sfidë që ende nuk e kemi pasur në këtë formë”, ndërsa agjencia gjermane e shëndetit publik i cilësoi Francën, Norvegjinë dhe Danimarkën si vende me rrezik të lartë. Nga ana tjetër, OBSH-ja thekson se varianti Omicron është identifikuar në të paktën 89 vende të botës dhe po përhapet dukshëm më shpejt se varianti i mëparshëm “Delta”.