Tensionet Perëndim-Rusi rrezikojnë gazsjellësin rus
Gazsjellësi Nord Stream 2 që synon të furnizojë me gaz Evropën nga Rusia, ndeshet me probleme.
Gazjellësi që kundërshtohet nga Ukraina, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, është në pritje të miratimit nga Gjermani dhe Bashkimi Evropian, për të anashkaluar vendet e tjera, duke sjellë gaz direkt në Evropë. Sekretari amerikan i Shtetit Anthoni Blinken, ka thënë se gazi nuk do të fillojë të transportohet nëse Rusia ndërmerr ndonjë sulm kundër Ukrainës. Zyrtarët gjermanë janë treguar më të matur, por thonë se agresioni rus do të kishte kosto të larta për Moskën. Evropa ndërkohë përballet këtë dimër me mungesa gazi dhe çmime në rritje. Gazsjellësi do të dyfishojë sasinë e gazit nga firma ruse Gazprom për në Gjermani, përmes një tubacion nën Detin Balltik, duke shmangur linjat ekzistuese përmes Polonisë dhe Ukrainës. Kritikët thonë se kjo shton ndikimin rus në Evropë, vë shtetet evropiane kundër njëri-tjetrit dhe i mohon Ukrainës të ardhura kyçe financiare nga tranziti. Për momentin procesi i miratimit është pezulluar. Gjermania thotë se do të miratojë leje vetëm për një kompani gjermane. Nord Stream 2, me seli në Zvicër, që funksionon si filial i Gazpromit rus, po krijon një degë të re për Gjermaninë. Vendimi nga autoritetet gjermane pritet në vitin 2022 dhe më pas duhet të rishikohet nga Bashkimi Evropian. Rusia ka denoncuar Shtetet e Bashkuara për përpjekjet e tyre për të penguar certifikimin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, duke theksuar se Uashingtoni nuk duhet të ushtrojë presion mbi askënd për certifikimin e projektit. Nord Stream 2 (NS2) me një kosto prej 11 miliardë dollarësh është një projekt ndërkombëtar për ndërtimin e një gazsjellësi që do të transportojë gazin rus në Gjermani nën Detin Baltik duke anashkaluar shtetet tranzit si Ukraina, Bjellorusia, Polonia dhe shtete të tjera të Evropës Lindore. Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar prej kohësh NS2, duke pretenduar se ai do ta bëjë Evropën shumë të varur nga gazi rus. Gjermania u ka kërkuar anëtarëve të Kongresit të SHBA që të mos e sanksionojnë projektin pasi një veprim i tillë do të “dobësonte” besueshmërinë e SHBA-së dhe “në fund do të dëmtonte unitetin transatlantik”.