Rusia paralajmëron reagim të ashpër ndaj çdo provokimi
Rusia theksoi se nuk kërkon një konflikt të armatosur me Ukrainën, por do t'i përgjigjet ashpër çdo provokimi.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha transmetuesit rus RT, se Kremlini "nuk do të dëshironte të zgjidhte rrugën e konfrontimit". Duke cituar presidentin Vladimir Putin, Lavrov tha se Rusia "ka të gjitha aftësitë për të siguruar një përgjigje të plotë ushtarake dhe teknike ndaj çdo lloj provokimi që mund të kryhet rreth saj". Ai, megjithatë, shtoi se “zgjedhja u takon partnerëve tanë”. Ministri i Jashtëm rus tha se "fakti që autoritetet amerikane kanë qenë mjaft të shpejta në lidhje me organizimin e kontakteve të ardhshme, besoj se është një shenjë pozitive, pavarësisht nga puna thelbësore përpara". Presidenti Putin tha të martën se ajo që SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s “po bëjnë në Ukrainë është në pragun tonë... Dhe ata duhet të kuptojnë se ne nuk kemi ku të tërhiqemi më tej. A mendojnë ata se ne thjesht do të vështrojmë duarkryq?” “Nëse rruga agresive e kolegëve tanë perëndimorë vazhdon, ne do të marrim masat adekuate të reagimit ushtarak-teknik dhe do të reagojmë ashpër ndaj hapave jomiqësorë”.