Situatë kaotike, mijëra fluturime të anuluara
Situata e fluturimeve ndërkombëtare paraqitet e përkeqësuar dhe kaotike. Me mijëra fluturime janë anuluar nëpër aeroportet më të mëdha të botës.
Mediet amerikane shkruajnë se kombinimi i motit të keq me mungesën e shumë pilotëve dhe stafit për shkak të Koronavirusit, ka çuar në anulimin e mbi 2,700 udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara vetëm këtë fundjavë. Shtetet e Bashkuara kanë 2,723 fluturime të anuluara, më shumë se gjysma e 4,698 udhëtimeve të anuluara në mbarë botën. Më herët, rreth 6000 fluturime të brendshme patë vonesa të gjata të shtunën, nga gjithsej 11.043 fluturime që u vonuan në mbarë botën për ditën. Linja ajrore amerikane më e prekur ishte SkyWest, e cila anuloi 23 % të fluturimeve të saj, teksa aeroportet e goditur më rëndë janë ato të Çikagos për shkak të motit të keq me stuhi të rënduara dëbore. Industria globale e udhëtimit ajror është ende e gjynjëzuar nga varianti i ri i Coronavirusit, Omicron. Shumë pilotë, stjuardesa dhe staf tjetër ndihmës mungojnë në punë për shkak të infektimit ose sepse janë në karantinë pasi kanë rënë në kontakt me dikë që bart virusin.