Kryeministri britanik kundër thirrjeve për dorëheqje
Kryeministri britanik Boris Johnson është mbrojtur sot pas thirrjeve të gjera për të dhënë dorëheqjen, duke thënë se askush nuk e kishte paralajmëruar se festa me pije në kopshtin e kryeministrisë thyente rregullat e izolimit.
“Askush nuk më paralajmëroi se ishte kundër rregullave,” justifikohej kryeministri, duke shtuar: “Po të ma kishin thënë do ta mbaja mend.” Por ish-ndihmësi i tij Dominic Cummings thotë se e kishte paralajmëruar Johnson në maj, dhe tani e akuzon se po gënjen deputetët për historinë. Kur u pyet nëse do të jepte dorëheqjen nëse i ka gënjyer deputetët e parlamentit Johnson tha: “Le të shikojmë çfarë do të thotë raporti.” Punonjësja e vjetër e administratës Sue Gray pritet të publikojë një raport mbi mbrëmjet e shpeshta në kopshtin e kryeministrisë apo departamente të tjera qeveritare gjatë kohës së izolimit të Covid. Në përgjigje të deklaratës së fundit të Johnson, deputetja laburiste Angela Rayner tha: “Boris Johnson e di se ka ardhur në fund të rrugës. Ai është kryeministri, ai vendos rregullat, ai nuk kishte nevojë te dinte që festa në të cilën mori pjesë thyente rregullat". Kur kryeministri u pyet nëse kishte gënjyer në parlament, Johnson tha: “Jo. E nis duke përsëritur ndjesën time për këdo, për gjykimet e këqija që kam bërë, ose që kanë bërë zyrtarë të tjerë të kryeministrisë”.