SHBA ofron takim Biden-Putin, Moska s'kthen përgjigje
Pasi takimi i tij në Gjenevë të Zvicrës me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dështoi të prodhonte rezultatin e shpresuar për uljen e tensioneve mbi Ukrainën, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken la të kuptohej se Amerika mund të lëshojë pe, duke ofruar një takim mes vetë Vladimir Putinit dhe Joe Bidenit.
“Nëse do të provohej e dobishme dhe produktive një përballje e dy presidentëve për të biseduar, për t`u angazhuar realisht e për të avancuar përpjekjet e çtensionimit të situatës, mendoj se ne jemi plotësisht të përgatitur për një gjë të tillë”, u shpreh kryediplomati amerikan. Moska ende nuk ka reaguar ndaj kësaj ftese të tij. Që në fillim të takimit të tij më Lavrovin, u bë e qartë nga të dyja palët se pritshmëritë për progres ishin të ulëta dhe ashtu rezultoi vërtet. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Presidenti Joe Biden do të shkojë në Camp David këtë fundjavë për t’u konsultuar me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare rreth situatës dhe do të japë një përgjigje me shkrim për propozimet e Moskës javën e ardhshme.