NATO përforcon kufijtë lindorë– vjen reagimi nga Rusia
NATO po forcon kufijtë e saj lindorë me forca tokësore, detare dhe ajrore, ka thënë sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, pasi një pushtim rus i Ukrainës dukej gjithnjë e më i mundshëm.
Sipas The Guardian, Jens Stoltenberg tha se “gjendja e përkeqësuar e sigurisë” i kishte çuar aleatët e NATO-s në gatishmëri fregate, avionë luftarakë dhe trupa për “mbrojtjen e tyre kolektive”. Administrata amerikane ishte gjithashtu e gatshme të rriste praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore, paralajmëroi shefi i NATO-s. “NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe forcimin e pjesës lindore të aleancës. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, tha Stoltenberg. Njoftimi u vlerësua si “histeri” perëndimore nga Kremlini. “Ne shohim deklarata të Aleancës së Atlantikut të Veriut për përforcimin, tërheqjen e forcave dhe burimeve në krahun lindor. E gjithë kjo çon në faktin se tensionet po rriten”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Kjo nuk po ndodh për shkak të asaj që ne, Rusia, po bëjmë. E gjithë kjo po ndodh për shkak të asaj që NATO dhe SHBA po bëjnë dhe për shkak të informacionit që po përhapin”. Zhvillime të tilla vijnë pasi Shtëpia e Bardhë dhe Downing Street thanë se kishin filluar të tërhiqnin familjet e diplomatëve nga Ukraina dhe ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, për të diskutuar krizën në përshkallëzim.