BE dhe SHBA: Reagojmë menjëherë po u sulmua Ukraina
https://parstoday.ir/sq/news/world-i121376-be_dhe_shba_reagojmë_menjëherë_po_u_sulmua_ukraina
Bashkimi Europian po koordinon veprimet me Shtetet e Bashkuara në mesin e tensioneve që ka shkaktuar një ndërhyrje e mundshme e Rusisë në Ukrainë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 25, 2022 16:24 Europe/Tirane
  • BE dhe SHBA: Reagojmë menjëherë po u sulmua Ukraina

Bashkimi Europian po koordinon veprimet me Shtetet e Bashkuara në mesin e tensioneve që ka shkaktuar një ndërhyrje e mundshme e Rusisë në Ukrainë.

Në përpjekje për të gjetur një përgjigje ndaj një agresioni rus, ministrat e jashtëm të bllokut europian u mblodhën në Bruksel, një takim që sipas shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tregoi se ekziston “unitet” mes vendeve anëtare për veprime “të shpejta dhe të vendosura”, nëse Moska e bën realitet planin e saj. BE-ja është zotuar të mbështesë Ukrainën në “fushat kyçe” duke përfshirë kundërsulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride, siç janë fushatat e dezinformimit rus. Brukseli do të vazhdojë ndërkohë “përpjekjet kolektive” për ta bindur Rusinë që të ndjekë “rrugën e dialogut” në zgjidhjen e tensioneve, por sipas Borell, BE është e përgatitur të përgjigjet nëse diplomacia dështon. Takimit iu bashkua me videokonferencë edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken. Disa vende anëtarë te bllokut shprehën shqetësimin se Bashkimi Europian po lihet mënjanë në situatën e krijuar, sepse Kremlini është fokusuar vetëm tek bisedimet me SHBA-në dhe NATO-n në paraqitjen e kërkesave të tij të sigurisë. Takimi në Bruksel u zhvillua pasi aleanca njoftoi se do të nisë avionë dhe anije shtesë në Europën Lindore për shkak të frikës së shpërthimit të konfliktit. Shtetet e Bashkuara vendosën mijëra trupa në gatishmëri për t’u dërguar në rajon nëse do të jetë e nevojshme. Takimi virtual i Biden ishte me krerët e Komisionit Europian, Këshillit Europian, NATO-s, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila tha se ata kanë në plan të vazhdojnë për çdo rast diskutimet “mbi diplomacinë, ashtu dhe parandalimin apo përpjekjet e mbrojtjes”, si dhe efektin që sanksionet mund të kenë mbi Moskën. Pjesë e diskutimeve ishte gjithashtu forcimi i sigurisë në krahun lindor të NATO-s”. Edhe pse deklarata e lëshuar në fund të takimit nuk përmendte në mënyrë të qartë mundësinë e dërgimit të ushtarëve amerikanë në rajon, ajo nuk përjashtohet. Pentagoni njoftoi se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka vendosur në gatishmëri rreth 8,500 trupa me bazë në SHBA me qëllimin që t`i shkojnë në ndihmë NATO-s. Zëdhënësi John Kirby sqaroi megjithatë se SHBA-ja mund të ofrojë edhe trupa të stacionuara tashmë në Europë. “Gjendje e gatishmërisë” do të thotë që në rast nevoje 8500 ushtarët mund të transferohen dhe aktivizohen shumë shpejt. Disa nga këta ushtarë mund të dërgohen në vendet e NATO-s në Evropën Lindore, si Polonia dhe Rumania, ku kërkohen njësi ushtarake me funksione dhe aftësi specifike, pala tjetër, shumica e trupave, mund të forcojë Forcën e Reagimit të NATO-s (NRF), një forcë kjo shumëkombëshe e NATO-s që përbëhet nga 40.000 ushtarë dhe që është në gatishmëri në rast emergjence. Ditët e fundit, përpjekjet e NATO-s dhe vendeve anëtare të saj për të kundërshtuar një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, janë përshpejtuar dhe intensifikuar. Nga kërcënimet për vendosjen e sanksioneve ekonomike shumë të rënda për Rusinë tani është kaluar në diçka më serioze, angazhimin e trupave ushtarake. Megjithëse rruga diplomatike mbetet ende e hapur, situata në Ukrainë bëhet gjithnjë e më e tensionuar dhe akoma më e vështirë për t’u zgjidhur. Presidenti rus Vladimir Putin nuk duket i gatshëm për momentin të tërheqë 100 mijë trupat e grumbulluara në kufirin me Ukrainën dhe po në të njëjtën kohë NATO ka përjashtuar mundësinë për të kufizuar praninë e trupave të saj në Evropën Lindore, duke e konsideruar kërkesën e rusëve si të papranueshme.