Rusia paralajmëron hakmarrje, dërgon luftanije
(last modified Wed, 26 Jan 2022 18:57:55 GMT )
Janar 26, 2022 19:57 Europe/Tirane
  • Rusia paralajmëron hakmarrje, dërgon luftanije

Rusia paralajmëroi sot se do të hakmerret, nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kundërshtojnë kërkesat e saj të sigurisë. Në qendër të kërkesave të Moskës është e ardhmja e Ukrainës.

Moska kërkon garanci që Ukraina dhe vendet e tjera ish-sovjetike nuk do të lejohen të anëtarësohen në NATO dhe që aleanca të tërheqë trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik. Disa prej këtyre kërkesave, si garancitë për mos anëtarësim, janë të papranueshme për NATO-n. Qëndrimet e kundërta kanë bërë që shumë të frikësohen se po shkohet drejt një lufte. Duke folur sot me ligjvënësit rusë, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se nëse Perëndimi vazhdon me këtë kurs agresiv, "Moska do të marrë hapat e duhur hakmarrës”. Moska po pret për përgjigjen amerikane, tha ai, “por nuk do të presë pafundësisht”. Rusia publikoi sot pamjet e luftanijeve të saj gjigande që dërgoheshin në Detin e Zi në mbështetje të krizës kufitare me Ukrainën. Moska tha se dislokimet vijnë për kohën që pret përgjigje pas bisedimeve me SHBA për përpjekjet e reduktimit të rrezikut të konfliktit ushtarak. Ajo tha se 20 luftanije dhe mjete detare mbështetëse janë dërguar për manovra në Detin e Zi mes tensioneve me NATO-n në Evropën lindore. Ministria e mbrojtjes konfirmoi sot se grupi ushtarak në të cilin përfshihen fregata, anije raketore, mina-lëshuese dhe mjete amfibe, ishte nisur nga portet e Sevastopol e Novorossiysk në brigjet jugore të vendit.

 

Tags