Boris Johnson: Nuk jap dorëheqje!
Pas skandaleve me organizimin e ahengjeve të paligjshme të kryeministrit të Britanisë gjatë periudhës së karantinës për shkak të pandemisë së virusit Korona dhe protestave që shpërthyen kundër tij, Boris Johnson ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Boris Johnson, kryeministri i Britanisë, ka refuzuar kërkesat e opozitarëve për dorëheqje, por njëkohësisht me këtë ka thënë: “Pranoj se duhet të ketë një ligj në bazë të të cilit në rast se ministrat me vetëdije mundohen ta devijojnë Parlamentin, ata humbin punën e tyre”.
Kryeministri britanik Boris Johnson hodhi poshtë thirrjet për të dhënë dorëheqjen, ndërsa pjesa tjetër e Londrës pret me padurim rezultatet e raportit të nëpunëses civile për çështjen “Partygate”.
Johnson këmbënguli se ai po vazhdonte punën, megjithëse pranoi se kishte persona që donin ende që ai të largohej për një sërë arsyesh.
Sue Grey, një nëpunëse civile britanike aktualisht edhe sekretarja e Dytë e Përhershme në Zyrën e Kabinetit, pritet të paraqesë konstatimet e hetimit të saj lidhur me festat në Downing Street gjatë izolimit të koronavirusit.
Festat në Downing Street kanë zemëruar britanikët, shumë prej të cilëve kanë anashkaluar të gjitha llojet e festave dhe grumbullimeve shoqërore gjatë dy viteve të fundit pikërisht sepse udhëheqësi Johnson u tha atyre se një sakrificë e tillë ishte e nevojshme për të shmangur pandeminë e koronavirusit.
Më herët, shefja e Scotland Yard, Dame Cressida Dick njoftoi se po kryhej një hetim policor, i bazuar pjesërisht në provat e marra nga hetimi Grey.
Udhëheqësi laburist Sir Keir Starmer sugjeroi se Johnson kishte mashtruar Parlamentin në lidhje me festat në Downing Street, diçka që normalisht do të kërkonte dorëheqjen e një ministri.