NATO nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë
(last modified Sun, 30 Jan 2022 18:25:28 GMT )
Janar 30, 2022 19:25 Europe/Tirane
  • NATO nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e Perëndimit nuk do të dërgojë trupa luftarake në Ukrainë, në rast se Rusia pushton këtë shtet.

“Ne nuk planifikojmë të dërgojmë trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë… ne jemi duke u fokusuar në ofrim të mbështetjes”, ka thënë Stoltenberg gjatë një interviste për transmetuesin britanik, BBC më 30 janar. “Ka dallim në mes të një vendi që është anëtar i NATO-s dhe një vendi të vlefshëm partner siç është Ukraina”. Komentet e Stoltenbergut kanë ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të NATO-s dhe Moskës, pasi Rusia ka pozicionuar më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit të Ukrainës, çka ka rritur shqetësimet për pushtim. Ukraina synon anëtarësimin në NATO por ende nuk ka plan veprimi për anëtarësim, çka do t’i prezantonte kushtet për t’u bërë pjesë e saj. NATO-ja ka thënë se politika e saj “për dyer të hapura” nuk negociohet dhe Uashingtoni ka theksuar se shtetet sovrane kanë të drejtë të vendosin vet për aleancat e tyre ushtarake. Uashingtoni ka thënë se synon zgjidhje diplomatike për krizën dhe se Rusia duhet të largojë prezencën ushtarake afër kufirit me Ukrainën. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se pret të takojë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në javët e ardhshme për një tjetër rund negociatash, mirëpo Putini do të vendosë si të përgjigjet ndaj pozicionit amerikan për kërkesat e Moskës.

 

Tags