Karvanet e lirisë tmerrojnë autoritetet franceze
https://parstoday.ir/sq/news/world-i122424-karvanet_e_lirisë_tmerrojnë_autoritetet_franceze
Policia e Parisit ka vendosur mijëra oficerë policie, të cilët do të ngarkohen të parandalojnë bllokimin e kryeqytetit francez këtë fundjavë nga "karvanet e lirisë", të frymëzuar nga lëvizja protestuese e kamionistëve në Kanada kundër kufizimeve të pandemisë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 13, 2022 19:54 Europe/Tirane
  • Karvanet e lirisë tmerrojnë autoritetet franceze

Policia e Parisit ka vendosur mijëra oficerë policie, të cilët do të ngarkohen të parandalojnë bllokimin e kryeqytetit francez këtë fundjavë nga "karvanet e lirisë", të frymëzuar nga lëvizja protestuese e kamionistëve në Kanada kundër kufizimeve të pandemisë.

Kryeministri Jean Castex siguroi se autoritetet do të tregojnë "qëndrueshmërinë" më të madhe për të parandaluar çdo paralizë të vendit, si ajo që po ndodh prej dy javësh në Otava, kryeqyteti kanadez. "Unë nuk mund të lejoj në asnjë mënyrë që këto sulme virulente ndaj vaksinimit të lidhen me fjalën liri," shtoi ai duke folur për aktivistët që figurojnë në karvanet e lirisë. Pavarësisht ndalimit të të gjitha tubimeve në Paris dhe rrezikut të gjobave apo edhe arrestimit të pjesëmarrësve, disa autokolona të madhësive të ndryshme dhe që vinin nga e gjithë Franca po shkonin drejt kryeqytetit francez. Këto autokolona, ​​madhësia e të cilave është e vështirë të vlerësohet, përbëhen nga grupe njerëzish kundërshtarë ndaj politikave të qeverisë së Emmanuel Macron: kundërshtarë të vaksinimit kundër COVID-19 ose masave të kufizimit shëndetësor në përgjithësi, ish-aktivistë të "Jelekëve të Verdhë". Marrin pjesë edhe shumë grupe politike apo qytetarë të thjeshtë që dëshirojnë të protestojnë kundër rritjes së çmimit të benzinës apo të kërkojnë më shumë fuqi blerëse. "Ne kemi shkuar në protesta për rreth tre vjet... Ne i shikojmë kanadezët, i themi vetes 'është e mrekullueshme ajo që po bëjnë ata' dhe atje, në tetë ditë, diçka ndodhi," tha Jean-Marie për Reuters, një pensionist që pretendon të jetë një ish-“Jelek i Verdhë”, dhe i cili merr pjesë në karvanin që vjen nga Jugperëndimi. Ndërsa autokolonat që niseshin nga jugu i Francës, në të cilat ish-jelekët e verdhë duken të shumtë, u larguan për disa ditë, të tjerat që u nisën paraditen e së shtunës nga perëndimi apo veriu i vendit numëruan shumë pak të pranishëm. Në grupet e krijuara në rrjetet sociale, disa organizatorë u bënë thirrje anëtarëve të autokolonave të tregohen të matur për të mbërritur në Paris duke i shpëtuar kontrolleve të policisë në akset kryesore që të çojnë në kryeqytet. Disa pjesëmarrës thonë se duan të demonstrojnë në këmbë në qendër të qytetit, ndërsa të tjerë, më të ashpër, kërcënojnë me një bllokadë rrugore. Objektivi i deklaruar i autokolonave është që më pas të arrijnë në Bruksel, në selinë e Komisionit Evropian, ku vendosja e tyre është ndaluar nga autoritetet belge.