Stoltenberg: Rusia të punojë për zgjidhje paqësore të situatës
(last modified Tue, 15 Feb 2022 18:21:32 GMT )
Shkurt 15, 2022 19:21 Europe/Tirane
  • Stoltenberg: Rusia të punojë për zgjidhje paqësore të situatës

“Nuk kemi parë asnjë shenjë në terren që të konfirmojë pretendimet ruse se janë duke tërhequr trupat nga kufiri më Ukrainën, edhe pse ka sinjale nga Moska që dëshmojnë se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun për t`i lënë hapësirë shpresës se kriza në rajon do të shmanget”, deklaroi shefi i Nato-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi se Rusia ka grumbulluar forca ushtarake përreth Ukrainës në një shkallë të paprecedentë që prej Luftës së Ftohtë, dhe se gjithçka është gati për një sulm të ri.

“Ka sinjale nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë. Kjo na jep hapësirë për optimizëm të matur. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë të çtensionimit të situatës në terren nga pala ruse”, tha Stoltenberg. Numri një i aleancës nënvizoi se Rusia ka ende kohë  të tërhiqet, të ndalojë së përgatituri për një luftë dhe të punojë për zgjidhje paqësore të situatës. Lajme kontradiktore mbërritën më herët lidhur me lëvizjet në kufi: mediat amerikane tregonin se disa njësi ruse po lëviznin duke avancuar drejt kufirit më Ukrainën, ndërsa ministria ruse e mbrojtjes doli me deklaratën se në fakt, disa trupa të saj po tërhiqeshin në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake. Rusia njoftoi të martën se disa nga trupat e saj do të kthehen në bazë pas përfundimit të stërvitjeve të fundit, por theksoi se stërvitjet e mëdha ushtarake do të vazhdojnë. Njoftimi u prit me skepticizëm nga ministri i Jashtëm ukrainas, i cili tha se do ta besonte kur ta shihte.

 

Tags