‘Pushtimi’ i Ukrainës, Biden ende i shqetësuar, Moska e Kievi jo
Të premten e kaluar, Perëndimi përhapi lajmin e pushtimit rus të mërkurën, të cilën as Kievi dhe as Moska nuk e besojnë.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar tërheqjen e trupave dhe tankeve nga zona e Krimesë, pas përfundimit të stërvitjes ushtarake. Në Kiev, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i ka bërë thirrje popullit që të valëvisin flamurin dhe të këndojnë himnin kombëtar gjatë së mërkurës duke ironizuar perëndimin. Edhe presidenti Putin qeshi me ditën e pushtimit një ditë më parë duke mohuar kategorikisht një plan sulmi ndaj Ukrainës. Por Shtëpia e Bardhë ende nuk bindet. Presidenti Biden doli në konferencë për mediet ku tha se kërcënimi rus ishte ende aktiv dhe se nuk përjashtohet ndonjë pushtim së shpejti. Po ashtu, sekretari i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se pushtimi mund të fillojë gjatë javës. Shtëpia e Bardhë dhe Gjermania kanë njoftuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është në rendin e ditës. Ky lëshim do të rehabilitonte situatën e tensionuar, pasi mosanëtarësimi i Kievit në NATO dhe moszgjerimi i Aleancës në lindje janë kërkesat kryesore të sigurisë së Moskës. I dërguari i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov , ka hedhur poshtë sugjerimet se vendi i tij është gati të sulmojë Ukrainën. Vladimir Chizhov ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të afërt në Ukrainë. "Nuk do të ketë asnjë përshkallëzim në javën e ardhshme, ose në javën pas kësaj, ose në muajin e ardhshëm," tha ai për Die Welt. New York Times citoi një burim të inteligjencës amerikane të thoshte se Moska po diskutonte këtë të mërkurë (16 shkurt) si një datë për veprim ushtarak në Ukrainë, të cilën Chizhov e mohoi në komentet e botuara në gazetën gjermane Die Welt. "Luftërat në Evropë rrallë fillojnë të mërkurën," ironizoi Chizhov. Ai dënoi akuzat e SHBA për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. "Kur bëni akuza, veçanërisht akuza shumë serioze kundër Rusisë, ju gjithashtu keni përgjegjësi të paraqisni prova. Përndryshe është shpifje," tha Chizhov. "Pra, ku janë provat?" - pyeti Chizhov. Ai i kërkoi Perëndimit që t'i marrë seriozisht shqetësimet e sigurisë së Rusisë, duke thënë se "kur partnerët tanë më në fund të dëgjojnë shqetësimet tona legjitime, një proces i depërshkallëzimit nuk do të vonojë shumë".