Rusia nis manovra të reja ushtarake
Të shtunën, Rusia zhvillon stërvitje të reja ushtarake të cilat këtë herë do të mbikëqyren nga vetë presidenti Vladimir Putin, e pohuar kjo nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Njoftimi vjen në kohë kur shqetësimet e një pushtimi të mundshëm të Ukrainës nga forcat e Moskës, mbeten të larta. “Në 19 shkurt janë planifikuar stërvitje të forcave strategjike që do të mbahen nën mbikëqyrjen e Komandantit Suprem të forcave të armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin, gjatë së cilave do të lëshohen raketa balistike dhe lundruese”, thuhet në njoftim. Aty sqarohet se në manovra do të marrin pjesë trupa dhe pajisje të forcave të hapësirës ajrore nga rajoni jugor, ai verior dhe Deti i Zi. Pjesëmarrja e mbi 30,000 trupave në këto stërvitje ka shqetësuar Perëndimin rreth qëllimeve të vërteta të Kremlinit.