Putin urdhëron gatishmëri bërthamore, të hënën priten negociata ruso-ukrainase
https://parstoday.ir/sq/news/world-i123164-putin_urdhëron_gatishmëri_bërthamore_të_hënën_priten_negociata_ruso_ukrainase
Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij që të vendosë forcat e parandalimit bërthamor të vendit në gatishmëri të lartë, pas deklaratave të njëpasnjëshme të vendeve të NATO-s.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 27, 2022 15:40 Europe/Tirane
  • Putin urdhëron gatishmëri bërthamore, të hënën priten negociata ruso-ukrainase

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij që të vendosë forcat e parandalimit bërthamor të vendit në gatishmëri të lartë, pas deklaratave të njëpasnjëshme të vendeve të NATO-s.

Putin e dha urdhrin gjatë takimit me ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, Valery Gerasimov. “Zyrtarët e lartë të vendeve kryesore të NATO-s kanë dhënë deklarata agresive kundër vendit tonë, prandaj urdhëroj Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse të ngrenë forcat parandaluese të ushtrisë ruse në një regjim special”, tha Putin në deklaratën e tij. Më herët, Putin ka paralajmëruar vendet e huaja që të mos ndërhyjnë në operacionin që Rusia po kryen në Ukrainë që prej të enjtes, duke paralajmëruar pasoja të rënda. Ndërkohë, zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin tha se bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes me orën lokale të Ukrainës. Zyra e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko e ka telefonuar presidentin ukrainas të dielën. “Politikanët kanë rënë dakord që delegacioni ukrainas do të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat”, - tha zyra e tij. “Aleksander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit, takimit dhe kthimit të delegacionit ukrainas”, - theksoi zyra.