Nafta në "stratosferë", pas konfliktit në Ukrainë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i123322-nafta_në_stratosferë_pas_konfliktit_në_ukrainë
Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë dhe goditja me sanksione e perëndimit ndaj Moskës ka shënuar një rritje rekord të naftës të papërpunuar e cila ka arritur në 113 dollarë për fuçi, shifër kjo që është parë për herë të fundit në qershor të vitit 2014.
(last modified 2026-03-28T22:46:51+00:00 )
Mars 02, 2022 19:53 Europe/Tirane
  • Nafta në

Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë dhe goditja me sanksione e perëndimit ndaj Moskës ka shënuar një rritje rekord të naftës të papërpunuar e cila ka arritur në 113 dollarë për fuçi, shifër kjo që është parë për herë të fundit në qershor të vitit 2014.

Çmimet e naftës janë rritur pavarësisht masave të reja që synojnë rehabilitimin e tregjeve pas konfliktit në Ukrainë. Nafta e papërpunuar Brent e cila është standard ndërkombëtar për çmimet e naftës ka arritur në 113 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2014. Çmimi arriti kulmin edhe pse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vendosi të lëshojë 60 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës. Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë. Si rezultat, tensionet në Ukrainë kanë shkaktuar shqetësime tek investitorët se furnizimet me naftë ose gaz mund të preken ndjeshëm. Edhe në Britaninë e Madhe është rritur ndjeshëm çmimi i benzinës e cila përcaktohet kryesisht nga çmimi i naftës së papërpunuar pasi është lënda e parë për karburant dhe nga kursi i këmbimit mes dollarit dhe paundit. Të hënën çmimi mesatar i benzinës në Mbretërinë e Bashkuar shënoi rekordin prej 1,51 paund, ndërsa nafta u rrit në 1,55 paund. Ndërkohë tregtimi në bursën e Moskës do të pezullohet për të tretën ditë me radhë, ka njoftuar Banka Qendrore e Rusisë përmes një deklarate. Megjithatë, ajo do të ofrojë disa shërbime të kufizuara për herë të parë këtë javë. Këto vendime janë marrë pasi valuta ruse, rubla, është zhvlerësuar në nivele rekorde dhe kompanitë ruse jashtë shtetit janë përballur me rënie të vlerës së aksioneve.