Putin: Lufta ndalet vetëm nëse plotësohen kërkesat tona!
Presidenti rus Vladimir Putin ka përsëritur se operacioni ushtarak kundër Ukrainës po shkon sipas planit, duke theksuar se Moska do të ndalojë ofensivën e saj vetëm nëse Kievi pushon së luftuari dhe kërkesat e Kremlinit përmbushen.
Putin i bëri komentet të dielën në një bisedë telefonike me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan, teksa konflikti mes dy palëve vazhdon për të 11-tën ditë. “U nënvizua se pezullimi i operacionit special është i mundur vetëm nëse Kievi ndalon operacionet ushtarake dhe përmbush kërkesat e njohura ruse”, tha Kremlini në një deklaratë duke cituar presidentin Putin. Putin tha më tej se Rusia është e hapur për dialog me Ukrainën, por se ai shpreson që negociatorët ukrainas të kenë një qasje më konstruktive në raundin e ardhshëm të bisedimeve dhe të marrin parasysh realitetin në terren. Ai theksoi se çdo përpjekje e negociatorëve ukrainas për të zvarritur negociatat do të bëjë që i gjithë procesi të dështojë. Erdogan, nga ana e tij, i kërkoi homologut të tij rus të shpallë një armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje. Në një tjetër telefonatë të dielën, Putin foli me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, duke akuzuar radikalët ukrainas për një incident më 3 mars në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë, tha Kremlini në një deklaratë. Gjatë telefonatës, Macron e pyeti Putinin për zjarrin në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë. “Vladimir Putin informoi për provokimin e radikalëve ukrainas në zonën e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia”, tha Kremlini, duke shtuar se “Nivelet e rrezatimit janë normale”. Putin akuzoi gjithashtu Ukrainën për pengimin e civilëve që të largoheshin nga Mariupol. Putin tha se "nacionalistët ukrainas" penguan civilët dhe qytetarët e huaj të largoheshin nga qyteti port i Mariupol dhe nga rajoni Volnovakha, pavarësisht një njoftimi për armëpushim. "Dhe armëpushimi u përdor përsëri vetëm për të dislokuar forca dhe mjete në pozicionet e tyre," i tha Putin presidentit Macron.