Zelensky kërkon më shumë ndihmë, Rusia vazhdon goditjet
Rusia thotë se ka goditur dhe ka çaktivizuar bazën ajrore ushtarake të Ukrainës Starokostiantyniv me armë me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi, ndërsa konflikti vazhdon për të 11-tën ditë.
“Forcat e armatosura ruse vazhdojnë të godasin infrastrukturën ushtarake të Ukrainës”, tha të dielën zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov. Konashenkov tha se ushtria ruse kishte shkatërruar një sistem raketor S-300 të kontrolluar nga ukrainasit dhe kishte rrëzuar 10 avionë dhe helikopterë ukrainas gjatë 24 orëve të fundit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky paralajmëroi se forcat ruse po përgatiten të bombardojnë qytetin Odessa, një qytet historik portual në bregun e Detit të Zi. Forcat ruse kanë bërë përparim në Ukrainën jugore që nga "operacioni special ushtarak" i tyre i 24 shkurtit, duke pushtuar qytetin Kherson dhe duke rrethuar portin e Mariupolit, por Odessa deri më tani kryesisht është kursyer. Kievi vazhdon të bëjë presion për ndihmë të mëtejshme perëndimore, duke përfshirë më shumë sanksione dhe armë. SHBA tha se po punon për një marrëveshje me Poloninë për të furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të epokës sovjetike për të rritur aftësitë e forcave ajrore të saj. Shtëpia e Bardhë tha se ishte duke negociuar me Poloninë dhe duke u konsultuar me aleatët e tjerë të NATO-s, por se kishte "një numër pyetjesh praktike sfiduese, duke përfshirë mënyrën se si aeroplanët mund të transferoheshin në të vërtetë nga Polonia në Ukrainë". Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara "po punojnë në mënyrë aktive" për të dërguar avionë në Poloni nëse Varshava vendos të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë. "Nuk mund të flas për një afat kohor, por mund të them vetëm se ne po e shikojmë atë shumë, shumë aktivisht," u tha ai gazetarëve të dielën gjatë një vizite në Moldavi. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua pothuajse 300 ligjvënësve amerikanë me video-telefonatë të shtunën, duke u lutur për financime të mëtejshme, për një zonë ndalim-fluturimi mbi vendin e tij dhe një embargo ndaj importeve të naftës ruse. Presidenti rus Vladimir Putin foli për "pasoja kolosale dhe katastrofike jo vetëm për Evropën, por edhe për mbarë botën" nëse do të ndërmerret një hap i tillë. Zelensky njoftoi gjithashtu se ai foli me telefon me homologun e tij amerikan Joe Biden për të diskutuar mbështetjen financiare dhe sanksionet kundër Rusisë. “Axhenda përfshinte çështjet e sigurisë, mbështetjen financiare për Ukrainën dhe vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë”, shkroi Zelensky në Twitter. Disa orë më parë, ligjvënësit amerikanë premtuan një paketë shtesë ndihme prej 10 miliardë dollarësh, por Shtëpia e Bardhë deri më tani ka refuzuar një embargo të naftës, nga frika se do të rriste çmimet dhe do të dëmtonte konsumatorët amerikanë tashmë të goditur nga inflacioni rekord. Ndërkohë, zyra e kryeministrit britanik Boris Johnson tha se ai do të nisë një "plan veprimi" ndërkombëtar për të siguruar dështimin e operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Forcat ruse janë afruar më pranë kryeqytetit Kiev. Një Zelensky sfidues tha të shtunën se forcat ukrainase po kundërsulmojnë rreth Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të vendit, duke u shkaktuar "humbje të tilla pushtuesve që ata nuk i kanë parë as në ëndrrën e tyre më të keqe". Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ishte po aq sfidues, duke thënë: "Ukraina po rrjedh gjak, por Ukraina nuk ka rënë, dhe qëndron me të dyja këmbët në tokë... Miti i ushtrisë së pamposhtur dhe të plotfuqishme ruse tashmë është shkatërruar". Dëmi ekonomik dhe humanitar i luftës është rritur dhe zyrtarët kanë raportuar për qindra civilë të vrarë. Armët, municionet dhe fonde janë derdhur furishëm në Ukrainë nga aleatët perëndimorë.