Putin përmend 'disa përparime' në bisedimet me Ukrainën
Presidenti rus Vladimir Putin tha se ka pasur disa përparime në bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi ofensiva ushtarake e Moskës kundër vendit fqinj hyri në javën e tretë.
"Ka disa ndryshime pozitive, më raportuan negociatorët nga ana jonë," i tha Putin homologut të tij bjellorus, Alexander Lukashenko, gjatë një takimi televiziv të premten, por pa dhënë detaje. Ai tha se bisedimet "tash po zhvillohen pothuajse çdo ditë", duke shtuar se ai do ta mbajë Lukashenkon "të informuar" për procesin e negociatave. Deklaratat e Putinit erdhën një ditë pasi një takim ballë për ballë mes ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në qytetin turistik turk të Antalias nuk dha asnjë rezultat. Ndërkohë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është i gatshëm të bisedojë drejtpërdrejt me kreun e shtetit rus, Vladimir Putin, por “nuk do të bëjë asnjë kompromis ndaj pozicionit të Moskës gjatë këtyre negociatave”, tha zëvendësi i tij Igor Zhovkva për CNN. Zhovkva pohoi se Ukraina është e hapur ndaj neutralitetit “Nëse blloku i NATO-s nuk është gati për momentin që ta pranojë në radhët e tij”. Megjithatë, shtoi ai, “kemi nevojë për garanci shumë të forta sigurie në mënyrë që këto luftëra të tmerrshme, që ky agresion i tmerrshëm, të mos përsëritet më në të ardhmen”.