Ministri i Jashtëm i Turqisë në Moskë, "lufta duhet të ndalet"
(last modified Wed, 16 Mar 2022 18:54:31 GMT )
Mars 16, 2022 19:54 Europe/Tirane
  • Ministri i Jashtëm i Turqisë në Moskë,

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu tha se “lufta mes Rusisë dhe Ukrainës duhet të ndalet”, duke theksuar se Ankaraja do të shtojë përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar një armëpushim të përhershëm.

“Lufta duhet të ndalet, njerëzit nuk duhet të vdesin. Unë erdha sot këtu në Moskë me këtë bindje”, tha të mërkurën në Moskë Cavusoglu gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Cavusoglu tha gjithashtu se Turqia, anëtare e NATO-s, shpreson që Putin të takohet me Presidentin Zelensky si një hap drejt paqes. “Ne kemi ndarë shqetësimet tona në një mënyrë të sinqertë dhe kemi bërë pjesën tonë për të lehtësuar tensionet dhe për të hapur skenën për diplomacinë”, tha kryediplomati turk. “Ne do të donim ta organizonim këtë takim (Putin-Zelensky) kur situata të arrijë në kushtet për një armëpushim të qëndrueshëm.” Lavrov, nga ana e tij, tha se nuk kishte pengesa për një takim midis Putinit dhe Zelenskit, por se ky takim do të ndodhte vetëm në rast të nënshkrimit të një marrëveshjeje specifike. “Bisedimet e sotme konfirmuan se ne duhet të takohemi shpesh dhe rregullisht të shkëmbejmë mendime për çështjet kyçe të agjendës sonë dypalëshe, por para së gjithash për situatën ndërkombëtare, e cila ka përjetuar ndryshime të thella", tha ministri i Jashtëm rus.

 

Tags