Dhjetëra viktima nga sulmi në Kharkiv
Lufta Ukrainë-Rusi ka hyrë në javën e katërt, ndërsa bombardimet rreth qyteteve ukrainase vijojnë pa shenja paqeje.
Autoritetet në Mariupol thonë se rreth 30,000 ukrainas janë larguar nga qyteti deri më tani, sipas Reuters. Sipas tyre, 350,000 janë ende të strehuar në qytet, i cili është rrethuar nga forcat ruse dhe është përballur me shpërthime të mëdha. Reuters raporton radhë të gjata makinash që shkojnë në veri nga Mariupol, disa me shenja në xhamin e përparmë me fjalën “fëmijë” të shkruar në rusisht si sinjal që rusët të mos sulmojnë. 21 viktima janë shënuar nga një sulm në rajonin e Merefa, 25 km në veri të qytetit të Kharkiv. Sulmi i cili ndodhi pasditen e së enjtes, shkatërroi një shkollë, duke lënë pas edhe shumë të plagosur rëndë. Përparimet ruse në të gjithë Ukrainën janë ngadalësuar ditët e fundit mes viktimave në rritje, por përpjekjet për të rrethuar dhe ndërprerë kryeqytetin Kiev vijojnë ende. Forcat ruse po përpiqen të rrethojnë dhe ndërpresin kryeqytetin, por zona të mëdha përreth qytetit mbeten nën kontrollin e Ukrainës, veçanërisht në jug. Gjithashtu është bërë e ditur se Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të flasë me homologun e tij kinez Xi Jinping, pas dyshimeve se Kina mund të jetë e përfshirë drejtpërdrejtë në ndihmën e dhënë për Rusinë gjatë agresionin që kjo e fundit po zhvillon në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë, ku objekt i takimit virtual, zyrtarisht, është çështja e Ukrainës dhe problematika të tjera shqetësimi të përbashkët për dy vendet. Kina e ka mohuar përfshirjen e saj në ndihmë ekonomike apo ushtarake për Rusinë, që prej fillimit të agresionit më 24 shkurt.