Protestë për çmimet në Athinë
(last modified Sat, 19 Mar 2022 18:55:19 GMT )
Mars 19, 2022 19:55 Europe/Tirane
  • Protestë për çmimet në Athinë

Duke bllokuar trafikun në rrugët e Athinës me traktorët e tyre dhe duke valëvitur flamujt e zinj dhe pankarta ku shkruhej “ulni kostot e prodhimit”, fermerët grekë të ardhur nga gjithë vendi, kanë protestuar duke kërkuar më shumë shkurtime taksash dhe subvencione për të luftuar çmimet e larta të karburanteve dhe plehrave kimike që janë rritur tej mase prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Megjithëse qeveria ka njoftuar për një ulje të taksave për plehrat kimike si dhe një lehtësim tatimor për karburantin e automjeteve bujqësore dhe subvencione të mëtejshme për faturat e energjisë jo vetëm për fermerët ,janë të shumtë ata që i konsiderojnë masat e reja financiare si “thërrime” ndaj rritjes galopante të çmimeve. Më herët rrugët e kryeqytetit janë bllokuar edhe nga qindra taksistë që protestonin edhe ata për rritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës duke kërkuar heqjen e akcizës dhe TVSH-së për të gjitha karburantet, si dhe përjashtimin nga taksat e periudhës së pandemisë. Bashkë me paketën e fundit financiare kundër shtrenjtësisë prej 1.1 mld euro ,qeveria deri tani ka shpenzuar rreth 3.7 miliard euro që nga shtatori i kaluar për të lehtësuar rritjen e kostove të energjisë dhe karburantit për fermerët, familjet dhe bizneset. Vetëm brenda 15 ditëve të fundit çmimet në supermarkete të shportës ushqimore janë rritur me gati 17%.

 

Tags