Ukrainë: Deri ku do të shkojë Kina?
Britanikët janë ndër ata që kanë më shumë frikë se Tajvani do të jetë Ukraina e dytë, se Kina do të bashkohet plotësisht me Moskën.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping thanë se lidhjet midis dy vendeve nuk kishin "kufizime". E përditshmja britanike The Guardian diskuton ndikimin e operacionit rus kundër Ukrainës, duke theksuar se fronti i përbashkët kino-rus kundër Perëndimit mund të sqarojë fatin e kësaj lufte duke pyetur mbi të gjitha veten: deri ku do të shkojë Kina në mbështetjen e saj ndaj Putinit? Nën Xi Jinping dhe Vladimir Putin, Kina dhe Rusia kanë lëvizur gjithnjë e më shumë larg perëndimit - dhe më afër njëra-tjetrës. Operacioni rus kundër Ukrainës erdhi vetëm disa ditë pasi Xi dhe Putin çimentuan një partneritet të rëndësishëm në margjinat e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit – takimi i parë dypalësh që nga fillimi i pandemisë. Një deklaratë e përbashkët nga të dy liderët tha se lidhjet midis dy vendeve "nuk kishin kufij" dhe se nuk kishte "asnjë fushë të ndaluar bashkëpunimi". Deklarata i bëri thirrje Perëndimit të "braktisë qasjet e ideologjizuara të Luftës së Ftohtë" dhe shprehu mbështetjen për pozicionin e njëri-tjetrit për Ukrainën dhe Tajvanin. Koha e partneritetit të nënshkruar midis Rusisë dhe Kinës ngriti pikëpyetje rreth asaj se çfarë dinte qeveria kineze për luftën. Disa analistë dhe zyrtarë amerikanë sugjeruan se ka të ngjarë që Pekini ishte në dijeni të planeve ruse për Ukrainën, por jo të shkallës së tyre, dhe u kap disi në befasi. Pekini e mohon kategorikisht. Ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara tha se çdo pretendim që Pekini "e dinte ose e mbështet në heshtje këtë luftë është dezinformim i pastër". Sipas raporteve të mediave amerikane, duke cituar zyrtarë qeveritarë të paidentifikuar, Rusia ka kërkuar pajisje ushtarake dhe mbështetje nga Kina, si dhe ndihmë ekonomike. Raportet e mëvonshme, duke cituar kabllogramet diplomatike të SHBA-së për aleatët, thanë se Rusia kishte kërkuar pajisje, duke përfshirë dronë, automjete të blinduara dhe raketa tokë-ajër, dhe Kina kishte sinjalizuar një gatishmëri për të pranuar. Zyrtarët amerikanë kanë frikë se Kina tashmë ka vendosur t'i ofrojë Rusisë mbështetje ekonomike dhe financiare dhe planifikon të dërgojë furnizime ushtarake si dronët e armatosur. Analistët thonë se Rusia dhe Kina janë më të bashkuara. "Të dy vendet përballen me një Perëndim armiqësor dhe do të jenë më të afta t'i rezistojnë presionit perëndimor duke qëndruar së bashku, sesa duke u ndarë," tha Ryan Hass, një studiues i Institutit Brookings për Kinën dhe Perëndimin. " Ai vazhdon: “Pa Rusinë, mendohet se Kina do të qëndronte e vetme kundër një Perëndimi armiqësor të vendosur për të penguar ngritjen e Kinës". "Ia vlen të kihet parasysh se Kina dhe Rusia nuk kanë interesa të harmonizuara në mënyrë perfekte," tha Hass duke shtuar: “Kina ka shumë më tepër për të humbur… se Rusia. Kina e sheh veten si një vend në rritje me vrull ndërsa Rusia në thelb po lufton me baticat e rënies.” "Marrëdhënia me Rusinë mbetet e rëndësishme për Xi Jinping dhe ai nuk ka gjasa ta braktisë atë në favor të afrimit me një Perëndim në rënie," i tha gazetës China File drejtorja e programit të Azisë në fondin gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, Bonnie Glaser. Por ai duhet të vendosë se sa do ta ndihmojë ekonominë ruse pasi sanksionet – të cilat Kina i ka kundërshtuar prej kohësh – hyjnë në fuqi. “Kina ka të ngjarë të gjejë mënyra për të ndihmuar Moskën të zbusë ndikimin e sanksioneve, pa i shkelur ato në mënyrë të hapur. Manuali që ajo përdori për të ndihmuar Iranin dhe Korenë e Veriut për t'iu shmangur sanksioneve ofron veprime të mundshme që Kina mund të ndërmarrë"."Kina ka pak nxitje për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake," thotë Wen-Ti Sung, një politolog në Universitetin Kombëtar Australian. “Preferencat e Pekinit janë: së pari, stabiliteti ndërkombëtar; së dyti, të sigurohet që ekonomia dhe politika ruse të mos shemben nën peshën e sanksioneve ndërkombëtare dhe së treti, të mos shihet si një katalizator i hapur për agresionin rus".