Marrëdhëniet Rusi-SHBA në prag të kolapsit
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thirrur ambasadorin amerikan John Sullivan, duke paralajmëruar se marrëdhëniet Moskë-Uashington janë në prag të kolapsit të plotë pasi operacioni ushtarak rus në Ukrainë hyri në ditën e tij të 26-të.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u përshkallëzuan pasi presidenti amerikan Joe Biden e cilësoi së fundmi Presidentin e Rusisë Vladimir Putin si "kriminel lufte", duke shënuar herën e parë që një zyrtar amerikan përdori këtë term për të karakterizuar Putinin. “Deklarata të tilla nga presidenti amerikan, nuk janë të denja për një burrë shteti të rangut kaq të lartë, dhe i vendosin marrëdhëniet ruso-amerikane në prag të prishjes”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të hënën. Ministria gjithashtu i tha të dërguarit amerikan se veprimet armiqësore kundër Rusisë do të kishin një "përgjigje vendimtare dhe të vendosur". Më 16 mars, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov denoncoi komentin e Biden si "të papranueshëm dhe të pafalshëm". “Ne besojmë se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe e pafalshme nga ana e kreut të një shteti, bombat e të cilit kanë vrarë qindra mijëra njerëz në mbarë botën”, tha Peskov.