Kremlini: Rusia nuk angazhohet në banditizëm si SHBA
Rusia ka hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara se Moska mund të përgatitet të nisë sulme kibernetike kundër aseteve amerikane, duke thënë se Moska nuk përfshihet në "banditizëm".
"Federata Ruse, ndryshe nga shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk angazhohet në banditizëm në nivel shtetëror," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Të hënën mbrëma, Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje kompanive private të forcojnë mbrojtjen e tyre kibernetike, duke pretenduar se qeveria ruse po eksploron “opsione për sulme të mundshme kibernetike” që synojnë infrastrukturën kritike të SHBA-së në përgjigje të sanksioneve perëndimore mbi pushtimin e Ukrainës nga Moska. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha të martën se Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nuk ka pësuar ndonjë sulm kibernetik, duke shtuar se zyrtarët amerikanë ishin të hapur me udhëheqësit e biznesit amerikan në takimin e së hënës për rrezikun e mundshëm për korporatat. "Ne nuk kemi parë asgjë të ndikojë në infrastrukturën tonë ose infrastrukturën kritike të qeverisë së SHBA," tha ai për MNSBC. “Ne donim të siguroheshim që liderët e kompanive ta dinin dhe të ishin të vetëdijshëm se rusët ndoshta do të provonin këtë lloj taktike”. Rusia edhe në të kaluarën ka hedhur poshtë akuzat për hakerim dhe fillimin e sulmeve kibernetike.