Krerët e NATO-s të vendosur për t'iu përgjigjur Rusisë
(last modified Thu, 24 Mar 2022 18:20:48 GMT )
Mars 24, 2022 19:20 Europe/Tirane
  • Krerët e NATO-s të vendosur për t'iu përgjigjur Rusisë

Vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, kanë ofruar mbështetje të konsiderueshme financiare dhe ushtarake për qeverinë ukrainase në vitet e fundit.

Në këtë drejtim, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi më parë se veprimet e vendeve perëndimore, duke përfshirë dërgimin e armëve dhe mercenarëve në Ukrainë, do ta shkatërronin Ukrainën. Krerët e NATO-s u mblodhën në samitin e jashtëzakonshëm të Brukselit me një qëllim të qartë: Diskutimin e përgjigjes afatshkurtër, por edhe asaj afatgjatë të aleancës veri-atlantike ndaj sulmit rus në Ukrainë. “Ne do t’i japim Ukrainës armë, me qëllim që ajo të mbrohet dhe të luftojë në këto ditë të vështira që do të vijnë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden. Se sa armë dhe furnizime do të ketë si edhe cilat do të jenë rrugët e dërgimit në Ukrainë nuk dihet. Për arsye sigurie, siç tha edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, sepse udhëheqja ruse ka bërë të ditur, se do të godasë rrugët që sjellin furnizime nga perëndimi. Në një gjest uniteti rrallëherë të parë në Perëndim, NATO, G7 dhe BE mbajnë që të gjitha takime sot, duke treguar një front të bashkuar të perëndimit për luftën në Ukrainë. Liderët e NATO-s kanë marrë vendimin për të shtuar trupat e forcave të armatosura në Lindje, në ditën kur në Ukrainë bëhet një muaj nga momenti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e vendit fqinj. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas samitit të jashtëzakonshëm, u shpreh se është rënë dakord për të ndihmuar Ukrainën me municione dhe armatime të tjera. Nga Kievi i rrethuar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua përmes një videoje udhëheqësve të 30 vendeve anëtare. Kërkesat urgjente të tij kanë qenë më shumë armë e një zonë ndalim fluturimi. Gjëja kryesore që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshiron mbyllja e kufirit ajror me Rusinë, por kjo nuk ka ndodhur sepse rreziku i konfliktit me rusët do të jetë shumë i madh. Gjithashtu, NATO po shqyrton ndihmën që do t’i jepet Ukrainës për të luftuar një sulm kimik ose biologjik, pasi SHBA ka ngritur shqetësimet e saj se Rusia mund t’i drejtohet kësaj mundësie. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ka bërë thirrje Putinit që ta përjashtojë këtë mundësi duke theksuar se Rusia thjesht nuk mund të fitonte nëse do të kishte një luftë bërthamore. E vetmja gjë që Putin tha se nuk donte ishte zgjerimi i NATO-s në pragun e tij. Sidoqoftë, NATO thekson se do të ketë një dyfishim të grupeve luftarake të NATO-s në Evropën Lindore dhe gjetkë. NATO thotë se do të ketë forca në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki, të gjitha pjesë e këtij mesazhi që aleanca e NATO-s dëshiron t’i dërgojë  Putinit.

 

Tags