Perëndimi shton presionin ndaj Rusisë, Kina dhe India vetëpërmbahen
(last modified Fri, 25 Mar 2022 06:07:59 GMT )
Mars 25, 2022 07:07 Europe/Tirane
  • Perëndimi shton presionin ndaj Rusisë, Kina dhe India vetëpërmbahen

SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë kanë rritur presionin ndaj Rusisë lidhur me operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, duke rënë dakord të përforcojnë forcat e tyre në Evropën Lindore, të rrisin ndihmën ushtarake për Kievin dhe të shtrëngojnë sanksionet e tyre ndaj Moskës.

Udhëheqësit perëndimorë i morën vendimet të enjten në një samit të paprecedentë të trefishtë të NATO-s, G7 dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ndërsa ofensiva e Rusisë kundër fqinjit të saj hyn në muajin e dytë. "Ne ramë dakord të forconim parandalimin dhe mbrojtjen tonë për një afat më të gjatë. Ne ramë dakord gjithashtu të japim mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe të vazhdojmë t'i imponojmë Rusisë kosto," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Stoltenberg paralajmëroi Rusinë kundër asaj që ai e quajti çdo sulm kimik në Ukrainë, duke thënë se aleanca ka aktivizuar "elemente të mbrojtjes kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore" për forcat aleate në Evropën Lindore. NATO, megjithatë, hodhi poshtë kërkesat e përsëritura të Kievit për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke përsëritur se nuk do të dërgonte as forca në Ukrainë. Në vend të kësaj, NATO u zotua të vazhdojë të furnizojë Kievin me armë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili iu bashkua samitit përmes një video-telefonate, u ankua se Perëndimi nuk kishte ofruar tanke apo sisteme moderne anti-raketore, duke u bërë thirrje udhëheqësve të aleancës perëndimore të dërgojnë armë "pa kufizime". Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se vendimet perëndimore për të armatosur Ukrainën e kishin inkurajuar Kievin të përdorte forcën kundër territoreve separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore. Ministria tha se premtimi i NATO-s për të ruajtur mbështetjen e saj për "regjimin e Kievit" tregoi se ajo dëshironte që konflikti në Ukrainë të vazhdonte, njoftoi agjencia e lajmeve RIA. Nga ana tjetër, Kina akuzoi shefin e NATO-s për "përhapjen e dezinformatave" me pretendimet se Pekini ka mbështetur ofensivën e Rusisë kundër Ukrainës. Të mërkurën, Stoltenberg akuzoi Kinën se i jep mbështetje politike Rusisë dhe paralajmëroi Pekinin kundër ofrimit të mbështetjes materiale për agresionin e Moskës. “Kina i ka ofruar Rusisë mbështetje politike, duke përfshirë përhapjen e gënjeshtrave dhe dezinformatave flagrante, dhe aleatët janë të shqetësuar se Kina mund të sigurojë mbështetje materiale për pushtimin rus”, tha ai përpara samitit urgjent të NATO-s. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha në një konferencë të rregullt për shtyp të enjten se "akuzimi i Kinës për përhapjen e informacionit të rremë për Ukrainën është në vetvete përhapje e dezinformimit". "Pozicioni i Kinës është në përputhje me dëshirat e shumicës së vendeve... çdo akuzë dhe dyshim i pajustifikuar kundër Kinës do të dështojë," tha ai. "Ne gjithmonë kemi thënë se Ukraina duhet të bëhet një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, në vend që të jetë në vijën e parë të një loje midis fuqive të mëdha", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze. India tha gjithashtu se ka marrëdhënie miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë që qëndrojnë në meritën e tyre. Ministrja e jashtme Meenakashi Lekhi e bëri deklaratën në përgjigje të një pyetjeje nëse kriza e Ukrainës kishte ndikuar në lidhjet e Indisë me Rusinë dhe SHBA-në. “India ka bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe kthim në rrugën e diplomacisë dhe dialogut në lidhje me konfliktin në Ukrainë”, tha Lekhi në parlament. “India ka marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me SHBA-në dhe Rusinë”, shtoi ajo. "Ato qëndrojnë në meritat e tyre." India është i vetmi vend i madh i afërt me Shtetet e Bashkuara që nuk e ka dënuar ofensivën e Rusisë ose nuk ka vendosur ndonjë sanksion ndaj saj deri më tani.

 

Tags