Kremlini reagon ndaj deklaratës së Biden
https://parstoday.ir/sq/news/world-i124454-kremlini_reagon_ndaj_deklaratës_së_biden
Komentet e presidentit amerikan Joe Biden për presidentin rus, Vladimir Putin “ngushtojnë dritaren” për përmirësimin e marrëdhënieve.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 26, 2022 15:25 Europe/Tirane
  • Kremlini reagon ndaj deklaratës së Biden

Komentet e presidentit amerikan Joe Biden për presidentin rus, Vladimir Putin “ngushtojnë dritaren” për përmirësimin e marrëdhënieve.

Ky ka qenë reagim i zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, pasi presidenti amerikan e përshkroi homologun e tij rus si një “kasap” gjatë një vizite në Poloni. “Në fund të fundit, udhëheqësi i shtetit duhet të qëndrojë i matur”, tha Peskov për agjencinë e lajmeve TASS. “Çdo herë, ofendime të tilla personale ‘ngushtojnë dritaren’ e mundësive për marrëdhëniet tona dypalëshe nën administratën aktuale (SHBA). Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, ka shtuar ai. Ndryshe, Biden e ka quajtur homologun e tij rus Vladimir Putin një “kasap” ndërsa ishte në një udhëtim në Poloni ku ka takuar ministra dhe refugjatë ukrainas. Presidenti amerikan u takua me civilë ukrainas që kishin ikur nga qyteti i rrethuar i Mariupol në Ukrainë për në Poloni. Kur u pyet se çfarë e kishte bërë të mendonte për presidentin rus Putin, derisa takoi refugjatët ukrainas, ai u përgjigj: “Ai është një kasap”. Presidenti amerikan, Joe Biden ditë më parë kishte thënë se beson që udhëheqësi rus, Vladimir Putin “është një kriminel lufte” shkaku i sulmeve në Ukrainë. Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar Vladimir Putinin që të mos lëvizë as edhe një “pëllëmbë” në drejtim të territorit të NATO-s. Ai tha gjithashtu se “veprimet e shpejta dhe ndëshkuese” janë të vetmet gjëra që do ta bëjnë Moskën të ndryshojë kursin. “Të gjitha demokracitë e botës kanë përgjegjësinë për të ndihmuar Ukrainën”, ka shtuar ai, duke vlerësuar se lufta “ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë”. Presidenti i SHBA, Joe Biden ndodhet në Varshavë, e cila ndodhet 400 kilometra nga Lviv, aty ku janë dëgjuar tre shpërthime të fuqishme. CNN shkruan se janë dëgjuar sulme ajrore dhe shpërthime në Lviv të Ukrainës. Në qytet kanë ushtuar sirenat e sulmeve ajrore dhe duken shtëllunga të mëdha tymi që shpërndahen në ajër. “Dëgjuam tre shpërthime të mëdha dhe një shtëllungë tymi që ngrihet matanë kodrës”, u shpreh një gazetar i CNN.