Zelensky flet për neutralitetin e Ukrainës dhe mosanëtarësimin në NATO
(last modified Mon, 28 Mar 2022 18:13:22 GMT )
Mars 28, 2022 20:13 Europe/Tirane
  • Zelensky flet për neutralitetin e Ukrainës dhe mosanëtarësimin në NATO

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha një grupi gazetarësh të pavarur rusë se qeveria e tij do të konsideronte shpalljen e neutralitetit dhe ofrimin e garancive të sigurisë, duke përsëritur deklaratat e mëparshme.

Kjo do të përfshinte “mbajtjen e Ukrainës pa armë bërthamore”, tha ai. Komentet e tij vijnë pasi negociatorët nga Ukraina dhe Rusia janë vendosur të takohen sërish në Turqi për një raund tjetër bisedimesh paqeje këtë javë. Çështja e “neutralitetit” të Ukrainës, një nga pikat qendrore të negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit, po “studiohet në thellësi”, tha Zelensky të dielën. Një nga klauzolat e negociatave ka të bëjë me “garancitë e sigurisë dhe neutralitetin, statusin e denuklearizuar të shtetit tonë”, një kërkesë nga Moska, tha ai në këtë intervistë online të transmetuar në kanalin Telegram të administratës presidenciale të Ukrainës. Zelensky u tha gazetarëve se çështja e neutralitetit dhe dakordimi për të qëndruar jashtë NATO-s – duhet t’u lejohet votuesve ukrainas që të vendosin përmes një referendumi pas tërheqjes së trupave ruse. Zelensky theksoi se çdo votim mund të bëhet brenda pak muajsh nga largimi i trupave ruse. Me neutralitet, Ukraina do të hiqte dorë gjithashtu nga ambicia e saj për t’u bashkuar me aleancën e sigurisë në NATO, një nga arsyet që Rusia përmendi për nisjen e invazionit. Zelensky thotë se Rusia do të duhet të tërhiqet në pozicionet e saj para fillimit të agresionit më 24 shkurt. Pasi ka luftuar kaq shumë për të fituar terren, është shumë e vështirë të shohësh Rusinë të pajtohet me këtë, veçanërisht në jug dhe në lindje të Ukrainës. Nëse Ukraina do të miratonte neutralitetin, Presidenti Zelensky thotë se do të duhej të kishte një referendum dhe ndryshime kushtetuese, të cilat mund të zgjasin deri në një vit. Dhe së fundi dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, është pyetja pa përgjigje se çfarë dëshiron në të vërtetë Rusia nga kjo luftë. A është fjala për sigurinë dhe ambiciet e Ukrainës për tu anëtarësuar në NATO, siç u pretendua fillimisht? A është fjala për më shumë territor në Ukrainën lindore? Apo presidenti Putin është i vendosur për të pamundësuar përgjithmonë aftësinë e Ukrainës për të funksionuar si një komb i pavarur sovran? Tani, më shumë se një muaj pas luftës së Ukrainës, e cila ka shkaktuar dhjetëra miliarda dollarë dëme serioze njerëzore dhe materiale në këtë vend, dhe kur Perëndimi nuk iu përgjigj dy kërkesave të Kievit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, Presidenti Zelensky e kuptoi se sa e gabuar ishte të mbështetesh në premtimet e Uashingtonit dhe të Brukselit dhe të përballesh me Moskën. Ndoshta kjo është arsyeja pse Zelensky në një fjalim tjetër disa ditë më parë tha: "Ne duhet të pranojmë faktin se Ukraina nuk mund të anëtarësohet në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)".

 

Tags