Suedia dhe Finlanda anëtarësohen në NATO; Shqetësime mbi reagimin e Rusisë
(last modified Thu, 14 Apr 2022 07:43:10 GMT )
Prill 14, 2022 09:43 Europe/Tirane
  • Suedia dhe Finlanda anëtarësohen në NATO; Shqetësime mbi reagimin e Rusisë

Nga Lufta e Ftohtë e deri tek aneksimi i Krimesë në 2014, asgjë nuk e ka bindur ndonjëherë Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO dhe të heqin dorë nga pavarësia e tyre ushtarake.

Sipas IRNA, kryeministrja e Finlandës "Sana Marin" deklaroi se çështja e anëtarësimit të vendit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të votohet në Parlamentin e këtij vendi në javët e ardhshme, pasi ekzistojnë dallime në lidhje me aplikimet për anëtarësim dhe Helsinki duhet të analizojë me kujdes situatën. “Ne kemi një kufi të gjatë me Rusinë dhe kur shohim situatën aktuale mendojmë se nuk duam që kjo të ndodhë me Finlandën”, tha ajo, duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë. Në vitet e fundit, Suedia dhe Finlanda janë afruar më shumë me NATO-n. Në fund të marsit 2022, të dy vendet morën pjesë në një stërvitje të madhe të NATO-s në Norvegji. Ekziston një shqetësim në rritje në Finlandë se vendi është shumë i cenueshëm për shkak të kufirit të tij prej 1300 kilometrash me Rusinë. Të dyja vendet tani kanë arritur në përfundimin se pa anëtarësimin në NATO, në raste urgjente nuk mund të kenë një mbështetje të plotë ushtarake nga vendet e tjera perëndimore.  Në fillim të janarit të këtij viti, vetëm 30% e të anketuarve në Finlandë ranë dakord të anëtarësohen në NATO. Por në fund të marsit, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më shumë se 60 për qind ranë dakord me anëtarësimin e vendit të tyre në NATO dhe kjo tendencë po rritet. Suedia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në një luftë për më shumë se 200 vjet.  Ky neutralitet e ka ndihmuar Suedinë tu shpëtojë luftërave botërore të shekullit të njëzetë. Megjithatë, shumica e suedezëve gjithashtu duan të anëtarësohen në NATO.  Në një sondazh të kryer menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, pothuajse gjysma e të anketuarve ranë dakord me anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Pranimi i Finlandës dhe Suedisë nuk do të jetë i sigurt për të dyja vendet.  Rusia ka deklaruar vazhdimisht kundërshtimin e saj ndaj zgjerimit të NATO-s. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov së fundmi tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO mund të destabilizojë Evropën. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në fund të shkurtit kërcënoi se pranimi i dy vendeve në NATO do të kishte "pasoja të rënda ushtarake dhe politike".

 


 

Tags