Më shumë se 2100 civilë të vrarë në luftën e Ukrainës
Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt e deri më tani janë vrarë më shumë se 2100 civilë.
Agjencia e lajmeve IRNA; Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha të martën se të paktën 2.104 civilë janë vrarë dhe 2.862 janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt.
Numri i viktimave në Ukrainë supozohet të ketë shkuar deri në 5.000 persona, por shifrat aktuale janë "dukshëm" më të larta, tha zyra e UNHCR.
Numri i viktimave të luftës në Ukrainë publikohet në kohën kur sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë një konference në Nju Jork bëri thirrje për një armëpushim katër-ditor në Ukrainë me rastin e festës së Pashkëve të të krishterëve ortodoksë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë vrasjen e civilëve në rajonet e pushtuar nga Rusia në rrethinën e Kievit. Pamjet tregojnë trupat e civilëve të vrarë me duar të lidhura pas shpine dhe ka raportime për zbulimin e varrezave masive.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se duhet të hetohet në lidhje me kryerjen e mundshme të një “krimi lufte” nga forcat ruse në këto rajone.
Përfaqësuesit e OKB-së kanë thënë gjithashtu se gjithsej 4.980.589 njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmeve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt. Polonia ka pranuar më shumë se 2.8 milionë refugjatë ukrainas dhe është vendi që ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve ukrainas.
Guttierez u tha gazetarëve të martën se armëpushimi humanitar do t'i lejonte civilët të largoheshin nga zonat e konfliktit, si dhe do të krijoheshin kushtet për dërgimin e ndihmave humanitare për njerëzit në zonat më të goditura nga lufta, duke përfshirë Mariupol, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.
Ai shtoi: “Kombet e Bashkuara janë të gatshme të dërgojnë autokolona me ndihma humanitare në këto zona gjatë kësaj periudhe (4 ditë armëpushim). ndërkohë; Martin Griffiths, zv/sekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinatori i ndihmave emergjente, i cili u kthye së fundmi nga Ukraina, pritet të shkojë në Turqi për bisedime midis Moskës dhe Kievit.
Që nga fillimi i sulmeve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës (më 24 shkurt), janë zhvilluar disa raunde bisedimesh midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në nivele të ndryshme por nuk kanë çuar në një armëpushim gjithëpërfshirës në Ukrainë.
Bisedimet midis ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Turqi gjithashtu nuk dhanë rezultate konkrete. Rezultati i vetëm i këtyre negociatave ishte krijimi i një armëpushimi të përkohshëm në disa zona, për tërheqjen e civilëve nëpërmjet korridoreve humanitare.