Rusia dhe Ukraina raportojnë luftime në Mariupol
Pamje nga qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupol tregojnë tymin që ngrihet nga zona e fabrikës së çelikut Azovstal mes zhurmave të shpërthimeve të forta.
Këto imazhe vijnë pasi forcat ruse po nisin sulme të reja në kompleksin e rrënuar, sipas deklaratave nga të dyja palët. Gjatë gjithë natës uzina u godit nga artileria, artileria detare dhe aeroplanët. Gazeta ukrainase ‘Ukrayinska Pravda’ raportoi se dy gra janë vrarë dhe rreth 10 ukrainas janë plagosur nga bombardimet e vazhdueshme në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Komandanti ukrainas, Svyatoslav Palamar tha se trupat e dy grave të vrara ishin nxjerrë nga rrënojat, ndërsa sulmet ruse vijojnë akoma. Fabrika e çelikut Azovstal po përballet me sulme intensive prej disa javësh, ndërsa dyshohet se kanë mbetur të bllokuar afërsisht 200 persona. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se trupat ruse po vazhdojnë të sulmojnë pozicionet e forcave ukrainase të stacionuara në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Gjithashtu,forcat ruse kanë bombarduar një fabrikë kimike në Donetsk, duke vrarë të paktën 10 persona dhe plagosur 15 të tjerë, sipas guvernatorit të rajonit lindor. Fabrika “ Avdiivka” është ajo për të cilën qyteti është më i njohur dhe është një nga fabrikat më të mëdha të koksit në Evropë. Rusia vijon të mohojë se ka shënjestruar civilët.