Zelensky: Tërheqja e Rusisë hapi i parë drejt paqes
Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do të varet nga tërheqja e forcave ruse në pozicionet e tyre para pushtimit rus, thotë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Duke folur për një institut në Londër, Zelensky, tha se ky do të ishte minimumi që vendi i tij mund të pranonte. Ai tha se është lideri i “Ukrainës, jo i një mini-Ukraine”. Por ai nuk e përmendi Krimenë, rajon ky që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Rusia aktualisht po lufton për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Mariupol. Ka ende forca ukrainase së bashku me disa civilë në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal qytet juglindor, i cili i është nënshtruar një sulmi të furishëm rus. Marrja përfundimisht e Mariupolit do të ishte arritja më e madhe e Rusisë në dy muajt e luftës dhe do t’i jepte presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, diçka për të festuar më 9 maj, që është “Dita e Fitores” në Rusi. “Për të ndalur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, hapi i parë duhet të jetë rikthimi i situatës që nga 23 shkurti”, tha Volodymyr Zelensky. Referenca për situatën e 23 shkurtit sugjeron se Ukraina mund të mos insistojë në rimarrjen e Krimesë përpara se të bëjë paqe me Rusinë. Gadishulli u aneksua nga Rusia tetë vjet më parë. Zelensky bëri thirrje për rifillimin e dialogut diplomatik midis Rusisë dhe Ukrainës.