Rusia vazhdon sulmet në uzinën Azovstal
https://parstoday.ir/sq/news/world-i127106-rusia_vazhdon_sulmet_në_uzinën_azovstal
Zyrtarët ukrainas thanë se ushtarët e rrethuar në fabrikën e çelikut Azovstal janë përsëri nën bombardimet ruse.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 13, 2022 16:18 Europe/Tirane
  • Rusia vazhdon sulmet në uzinën Azovstal

Zyrtarët ukrainas thanë se ushtarët e rrethuar në fabrikën e çelikut Azovstal janë përsëri nën bombardimet ruse.

Këshilltari i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, Petro Andriushchenko tha se avionët kishin hedhur bomba të rënda mbi uzinë, sepse janë dëgjuar shpërthime shumë të fuqishme. Njerëzit panë gjithashtu tymin që dilte nga uzina. “Me sa kuptoj unë, pas përfundimit të bombardimeve, rusët mund të përpiqen të fillojnë sulmet tokësore. Territori i uzinës është i madh, ata po përpiqen të depërtojnë objektin, të fitojnë terren dhe të gjejnë hyrje dhe dalje në zonat nëntokësore  ku është spitali fushor, ku janë mbrojtësit tanë”, tha Andriushcheko. Deri tani përpjekjet e tyre për të hyrë më në brendësi të uzinës nuk kishin qenë shumë të suksesshme. “Dhe kjo është ajo që provokon granatimet e reja, mbulesa e re e artilerisë për këto operacione tokësore”, tha ai. Këshilltari  u shpreh se më shumë njerëz po ktheheshin në Mariupol sepse rusët nuk po i lejonin ata të hynin në territorin e kontrolluar nga ukrainasit. “Njerëzit po kthehen për shkak të mbylljes aktuale të të gjitha korridoreve të gjelbra nga Federata Ruse. Njerëzit që janë vendosur në rrethin Mariupol, rrethin Nikolske, rrethin Berdiansk, të cilët nuk mund të shkojnë në Zaporizhzhia, janë të detyruar të kthehen në qytet, në shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë nuk kemi parë rritje të furnizimeve ushqimore”, tha ai. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk është shprehur se Kryqi i Kuq Ndërkombëtar po diskuton me zyrtarët rusë për të plagosurit rëndë të cilët kanë mbetur të bllokuar ende në Azovstal.