Vriten nxënës e mësues në sulmin e ndodhur në Amerikë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i127668-vriten_nxënës_e_mësues_në_sulmin_e_ndodhur_në_amerikë
14 nxënës dhe 1 mësues janë vrarë pas një sulmi në një shkollë fillore në Teksas të Shteteve të Bashkuara, raporton BBC.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 25, 2022 04:34 Europe/Tirane
  • Vriten nxënës e mësues në sulmin e ndodhur në Amerikë

14 nxënës dhe 1 mësues janë vrarë pas një sulmi në një shkollë fillore në Teksas të Shteteve të Bashkuara, raporton BBC.

Ngjarja ka ndodhur në Uvalde, 183 kilometra larg San Antonios,  në 11:32 të paradites sipas orës lokale. Shkolla Robb Elementary School frekuentohet nga nxënës të moshës 8 deri në 11 vjeç. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka deklaruar se autori është Salvador Ramos, një 18-vjeçar i zonës. Sipas deklaratës së Abott, Ramos ka braktisur automjetin me të cilin po udhëtonte dhe është futur në shkollë i armatosur. Autoritetet dyshojnë se 18-vjeçari ka përdorur një pistoletë dhe pushkë. Drejtori i policisë Pete Arredondo ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka konfirmuar se autori është vrarë dhe mendohet se ka vepruar i vetëm. Një grua 66-vjeçare dhe një nxënëse 10 vjeç janë në gjendje kritike për jetën, tha drejtori i policisë. Maji ka shënuar një sërë ngjarjesh të përgjakshme në Shtetet e Bashkuara ku vetëm dhjetë ditë më parë 10 persona humbën jetën dhe 3 u plagosën në Nju Jork në një akt që dyshohet se ishte një sulm kundër personave me ngjyrë.