Kuleba: Më shumë armë të rënda po vijnë
Në një telefonatë me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se ata të dy diskutuan mbështetjen ushtarake amerikane për Kievin.
Kuleba tha se “armët e rënda” janë në krye të agjendës së Ukrainës dhe shkroi se “më shumë po vijnë”, pas thirrjes. Komentet e tij vijnë pasi CNN raportoi se administrata e presidentit Biden po përgatitet t’i ofrojë Ukrainës, Sistemet Masive të Lansimit të Raketave (MLRS) – një sistem i avancuar raketash me rreze të gjatë. Deri më tani, SHBA-ja ka refuzuar thirrjet për t’i ofruar Ukrainës sistemet me rreze më të gjatë, nga frika se mund të përdoren për të sulmuar vendet brenda Rusisë duke zgjeruar kështu konfliktin. Duke iu përgjigjur raportit, një prezantues në televizionin shtetëror rus tha të premten se SHBA-ja do të kalonte vijën e kuqe duke dërguar këto armë në Ukrainë. Në ditën e 93 të luftës trupat ruse kanë bërë përparime të mëtejshme në rajonin lindor të Donetskut, duke rrethuar Sievierodonetsk dhe Lyschansk dhe kapjen e një zonë në qytetin e rëndësishëm të Bakhmut. Zyrtarët ukrainas thonë se në ditët e fundit, rusët kanë kombinuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, sisteme raketash, artileri të rëndë dhe tanke në një bombardim të pamëshirshëm të qyteteve në rajonet e Luhansk dhe Donetsk ende nën kontrollin e Ukrainës. Disa zyrtarë e përshkruajnë situatën si “shumë të vështirë” dhe pranojnë se njësitë ukrainase mund të duhet të tërhiqen në disa vende. Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Moskën për kryerjen e një “gjenocidi” në rajonin lindor të Donbasit.