Erdogan: Nuk do flasim më me Greqinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i128038-erdogan_nuk_do_flasim_më_me_greqinë
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se nuk do të takohet më me liderët grekë për përplasjet e fundit mbi ishujt dhe hapësirën ajrore në detin Egje.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 01, 2022 16:21 Europe/Tirane
  • Erdogan: Nuk do flasim më me Greqinë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se nuk do të takohet më me liderët grekë për përplasjet e fundit mbi ishujt dhe hapësirën ajrore në detin Egje.

“Ne nuk do të mbajmë më takime bilaterale me ta,” tha presidenti në një fjalim për grupin e tij parlamentar në Ankara. “Ne kishim një marrëveshje të këshillit të lartë strategjik me Greqinë, por njoftova dje ministrin e jashtëm se nuk i qëndrojmë më kësaj marrëveshjeje”, shtoi Erdogan. Marrëveshja e vitit 2010 mes Turqisë e Greqisë garantonte takime të rregullta të nivelit të lartë për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Sot duke iu referuar kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis, por pa i përmendur emrin, Erdogan tha: “Ai shkon në SHBA dhe bën komente kundër nesh para Kongresit. Kjo mbaron këtu”. Turqia ka intensifikuar kritikat e saj ndaj Greqisë që kur Mitsotakis tha muajin e kaluar në Uashington se fluturimet mbi ishujt grekë nga Turqia janë “akt i hapur agresioni”. Mitsotakis tha kësaj jave se nuk do të përfshihej në “ping-pong” personal replikash me Erdoganin. “Turqia është ajo që po na kërcënon,” tha ai për gazetarët në Bruksel duke shtuar se Ankaraja “po shpërdoron mundësinë për përmirësimin e lidhjeve”.