Rusia paralajmëron konflikt të drejtpërdrejtë me SHBA-në
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov tha se armatimi i Ukrainës nga Uashingtoni me armë më të rënda rrit rrezikun e konfrontimit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Çdo furnizim me armë, i cili vazhdon dhe përshkallëzohet, rrit rrezikun e një konflikti të tillë”, u tha Ryabkov gazetarëve, duke iu referuar mundësisë së një konfrontimi midis Rusisë dhe SHBA-së. Ai gjithashtu akuzoi Uashingtonin për pengimin e përpjekjeve të Moskës për të negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do të kishte adresuar shqetësimet ruse për zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore. Pasi shpërthyen armiqësitë e hapura në shkurt, "shpresat e një qëndrimi të shëndetshëm ndaj situatës u thyen", tha ai, duke iu referuar fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt. Ryabkov tha se SHBA “ruan kursin e asaj që ne e karakterizuam shumë herë si një synim për të vazhduar luftën deri në ukrainasin e fundit, gjë që pasqyron qëllimin për të shkaktuar – siç thonë ata vetë – disfatën strategjike të Rusisë. Kjo është e paprecedentë. Kjo është e rrezikshme.”