Zelensky viziton trupat në vijën e frontit të Donbasit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë me dije se ka vizituar ditën e djeshme trupat në disa nga pozicionet më të bombarduara të vijës së parë të frontit.
Në fjalimin e tij gjatë natës, Zelensky tha: “Ne ishim në Lysychansk dhe në Soledar”. Të dy vendet kanë qenë nën sulme të rënda ruse për javë të tëra, duke vuajtur nga bombardimet me raketa dhe sulmet ajrore. “Jam krenar për të gjithë ata që takova, shtrëngova duart, komunikova dhe mbështeta. Unë solla diçka prej ushtarakëve, për ju. Është e rëndësishme: besim dhe forcë.”– tha Zelensky. Presidenti ukrainas Volodymy Zelenksy pranoi se forcat ruse janë më të shumta në numër në betejën që po zhvillohet në lindje të vendit, konkretisht në qytetin e Severedonetsk, por insistoi se ukrainasit po bëjnë ç’të munden që të mos ta humbasin qytetin dhe se kanë ende çdo mundësi për të fituar. Zelensky tha se Severodonetsk dhe of Lysychansk janë tashmë qytete të vdekura. Nëse Severodonetsk do të bjerë i gjithi në duart e Rusisë , atëherë rusët do të kenë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut, i cili përbën gjysmën e Donbasit. Zelensky ishte edhe në qytetin jugor Zaporizhzhia, ku tha se kishte takuar kryebashkiakët e disa qyteteve të pushtuara. Ndërkohë sot u njoftua se SHBA dhe Britania do t’i ofrojnë Ukrainës raketahedhës të shumtë të aftë për të goditur objektiva deri në 80 km larg. Por ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov ka paralajmëruar Perëndimin se nëse i siguron Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, atëherë Moska do të përgjigjet duke marrë nën kontroll zona më të mëdha të Ukrainës.